KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania homazhe për masakrën e Mynihut
gjermani

Gjermania homazhe për masakrën e Mynihut

Me qirinj të ndezur në vendin e ngjarjes dhe lutje për ata që humbën e për të afërmit e tyre, Gjermania vajtoi 9 viktimat e sulmit fatkeq të së premtes. Mes tufave me lule, që mbulojnë atë pjesë të sheshit përpara qendrës tregtare “Olimpia”, ngrihet një tabelë e vogël me mbishkrimin e thjeshtë: “Përse?”. Trauma e të shtënave, që këputën në mes aq jetë të reja, do të mbetet gjatë në kujtesën e këtij qyteti, por mbi të gjitha ajo duket e destinuar të shënjojë ata që e përjetuan nga afër. Veç dy vajzave dhe një djali shqiptar, në mesin e viktimave të tjera të çmendurisë së tij ishte dhe një 19-vjeçar grek, i cili u sakrifikua për t’i shpëtuar jetën të motrës binjake, si dhe një 15-vjeçar me origjinë turke. Kancelarja Angela Merkel u shpreh e tronditur në deklaratën e saj. “Gjermania mban zi me zemër të vrarë, për ata që nuk do të kthehen më kurrë në familjet e tyre. Të afërmve iu them se, me mendimet tona jemi te ju, ne ndajmë dhimbjen tuaj, ne vuajmë bashkë me ju”, tha Merkel. Shefja e ekzekutivit lavdëroi nga ana tjetër punën e policisë, duke i mëshuar idesë se bashkëpunimi mes autoriteteve bavareze dhe atyre federative ka funksionuar ngushtë dhe në vijimësi.