KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania: Në 5 vitet e ardhshme, 93.6 miliardë euro për refugjatët

Gjermania: Në 5 vitet e ardhshme, 93.6 miliardë euro për refugjatët

Gjermania do të shpenzojë 93.6 miliardë euro për refugjatët në pesë vitet e ardhshme. Landet dhe qeveria federale po debatojnë se si të ndajnë shpenzimet. Revista javore e lajmeve “Der Spiegel” citon një dokument të Ministrisë federale të Financave në të cilin bëhet fjalë për 93.6 miliardë euro që do të shpenzohen për refugjatët gjatë pesë viteve të ardhshme. Rreth 25.7 milionë euro pritet të shkojnë për shpenzime sociale, pagesa sidomos për të papunët dhe për ndihma financiare për strehimin. Rreth 5.7 miliardë euro janë llogaritur për kurset e gjuhës dhe 4.6 miliardë parashikohen për të ndihmuar për integrimin e refugjatëve në tregun e punës. Shuma e përgjithshme prej 93.6 miliardë euro përfshin edhe para të rezervuara për përpjekjet për të luftuar arsyet se përse njerëzit ikin nga vendet e tyre dhe kërkojnë strehim në Gjermani. Zyrtarët i bazojnë vlerësimet e tyre në një numër në rënie të refugjatëve që vijnë në Gjermani – 600,000 këtë vit, 400,000 vitin e ardhshëm dhe 300.000 çdo vit deri në vitin 2020. Në llogaritjet e tyre, ata supozojnë gjithashtu se 55 % e njerëzve të cilëve u është njohur statusi i refugjatit, do të gjejnë punë brenda pesë vitesh.