KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania riformulon politikën e sigurisë dhe mbrojtjes
bundeswehr

Gjermania riformulon politikën e sigurisë dhe mbrojtjes

Qeveria gjermane riformuloi politikën e saj të sigurisë dhe të mbrojtjes. Libri i Bardhë i Bundeswehr-it, i cili përmban direktivat e politikës gjermane të mbrojtjes që nga viti 2006, u ndryshua tani me direktiva dhe plane të reja. Pjesë e planeve të reja janë ndër të tjera angazhimi i ushtrisë gjermane, Bundeswehr-it, për të luftuar terrorizmin jo vetëm jashtë Gjermanisë, por në rast sulmesh terroriste edhe brenda vendit, hapja e ushtrisë për qytetarët e BE-së, më shumë përgjegjësi gjermane në NATO dhe rivlerësimi i marrëdhënieve me Rusinë në kuadrin e krizës së Ukrainës. Dokumenti i ri i miratuar nga kabineti parashikon një rol më aktiv të Gjermanisë në botë. Në të thuhet: “Horizonti i politikës gjermane të sigurisë është global.” Për zgjerimin e veprimtarisë së Bundeswehr-it brenda vendit nuk është e nevojshme të ndryshohet kushtetuta, dhe në dokument sqarohet, se qeveria gjermane e konsideron në përputhje me kushtetutën angazhimin e ushtarëve të Bundeswehr-it në raste katastrofash apo “veprimesh të mëdha terroriste” brenda vendit. Për këtë formulë kompromisi kishin rënë dakord ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier. Kritikë ndaj direktivave të reja pati jo vetëm nga opozita në Bundestag – të Gjelbrit dhe e Majta u shprehën për një rikthim në modelet e vjetra të të menduarit nga koha e Luftës së Ftohtë. Shqetësime u shprehën edhe nga Sindikata gjermane e Policisë dhe Shoqata e Forcave të Armatosura. Zëdhënësi për politikën e mbrojtjes i Partisë Socialdemokrate SPD, Rainer Arnold, tha se grupi parlamentar i SPD-së nuk është dakord që ushtria të angazhohet brenda vendit si policia, sepse ushtarët nuk janë të shkolluar dhe stërvitur për të kontrolluar me armë në dorë qytetarët në një mjedis civil dhe se ushtria nuk e ka personelin e nevojshëm për angazhime të tilla. Në lidhje me angazhimin e Bundeswehr-it në aksione ndërkombëtare, Rainer Arnold tha se Gjermania vlerësohet si partner i besuar në botë, duke thesuar se duhet të përcaktojë disa pika kryesore për angazhimet ndërkombëtare “sidomos në kuadrin e OKB-së. E rëndësishme është sipas tij që në Librin e Bardhë të Bundeswehr-it pasqyrohet si duhet situata e ndryshuar e sigurisë, e cila është bërë shumë komplekse dhe e paparashikueshme. Gjithashtu me vend janë sipas tij konstatimet për konfliktet në internet dhe luftën kibernetike, pra për kërcënimet hibride, që do të thotë se vendet dhe shoqëritë nuk destabilizohen më vetëm nga ushtritë dhe ushtarët nga jashtë, por edhe nga brenda.