KRYEFAQJA » LAJME » Gjermania – Shqipëri, protokoll bashkëpunimi me vlerë rreth 42 milionë euro
Gjermania - Shqipëri, protokoll bashkëpunimi me vlerë rreth 42 milionë euro

Gjermania – Shqipëri, protokoll bashkëpunimi me vlerë rreth 42 milionë euro

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan të martën Protokollin e Bashkëpunimit për dyvjeçarin e ardhshëm mes dy vendeve. Marrëveshja parashikon një fond prej 41.4 milion eurosh në mbështetje të projekteve zhvillimore në Shqipëri.
Sipas zëvendëskryeministrit shqiptar Niko Peleshi, bashkëpunimi prej kohësh mes dy vendeve ka rezultuar me zbatimin e projekteve të rëndësishme. Zoti Peleshi tha se prioritet do të kenë projektet në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, arsimin profesional, por edhe ato në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Ai veçoi projektin për menaxhimin e mbetjeve të rajonit të Vlorës, një investim prej 19.5 milion eurosh.
Ambasadorja e re gjermane në Shqipëri Susanne Schuetz, tha se bashkëpunimin mes dy vendeve shihet si pjesë mjaft e rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Gjermania përshëndet rolin konstruktiv të Shqipërisë për një zhvillim paqësor dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sikurse u nënvizua dhe në konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në datën 4 korrik në Paris” tha ambasadorja gjermane.
Gjermania vlerësohet si një prej kontributoreve më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Në 20 vjet kontributi gjerman për Shqipërinë përllogaritet në më shumë se 1 miliardë euro.