KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » GJERMANIA, SONTE (18:00) KUNDËR SFIDËS SLLOVAKE
gjermani sllovaki, euro 2016, ora 18 00

GJERMANIA, SONTE (18:00) KUNDËR SFIDËS SLLOVAKE

Ndeshja e 5-të e turit të 16-shes së Evropianit “Francë 2016”, ajo që luhet në stadiumin e Lilës, duke nisur nga ora 18:00, vë përballë Gjermaninë me Sllovakinë. Ky çift ishte në fakt një kapriçio e fatit, pasi këto dy skuadrat janë përballur me njëra-tjetrën pas 4 javësh, më 29 maj, në një miqësore, dhe sllovakët fituan me rezultatin 3-1.

“Ne jemi të ndërgjegjsëm se ata kanë lojtarë cilësorë dhe janë një skuadër e mirë në fazën mbrojtëse dhe kjo u dëshmua edhe në miqësoren e fundmajit, kur ata na mundën. Megjithatë, këtu gjërat janë ndryshe dhe ne nuk duhet t’i lejojmë vetes të shkojmë dëm aq shumë raste për shënim sa ç’kemi bërë deri më tani”, ka thënë trajneri Lëv.

Ndërsa homologu sllovak i Lëvit, trajneri Jan Kozhak, u ka bërë thirrje lojtarëve të luajnë në grup.

“Gjermania është një sfidë e madhe për ne. Por, nëse duam t’ia dalim me sukses kësaj sfide, duhet të luajmë si një skuadër, si një trup i vetëm. Po, ata janë një skuadër e fortë, por çdo kundërshtar ka dobësitë e tij dhe ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë ato.”

Duke qenë se pret që Sllovakia të luajë po aq ngjeshur dhe po aq e tërhequr sa Irlanda e Veriut, Gjermania pritet ta nisë me të njëjtin formacion, ashtu sikundër pritet të bëjë edhe Sllovakia.