KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Gjiknuri në Selanik: Vendet ballkanike të mos bëhen pengesë për investime të financuara nga BE dhe institucionet ndërkombëtare
Gjiknuri në Selanik: Vendet ballkanike të mos bëhen pengesë për investime të financuara nga BE dhe institucionet ndërkombëtare

Gjiknuri në Selanik: Vendet ballkanike të mos bëhen pengesë për investime të financuara nga BE dhe institucionet ndërkombëtare

Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, u ka bërë thirrje vendeve ballkanike të mos bëhen pengesë për investime të financuara nga BE dhe institucionet ndërkombëtare, pasi në të kundërt do të humbasin besimin e investiorëve dhe investimet e tyre. Duke folur në Konferencën Rajonale për Europën Juglindore të Rrjetit Europian të Energjisë (ENTSO-E), e cila u mbajt në datat 2-3 Nëntor në Selanik, zoti Gjiknuri u bëri thirrje vendeve ballkanike të tregojnë një vullnet të qartë politik. “Nuk mund të kemi bashkëpunim rajonal pa një vullnet të qartë politik të të gjithë vendeve” tha zoti Gjiknuri. “Asnjë vend nuk duhet që të bëhet pengesë për arsye thjesht politike, të pengojë vënien në punë të investimeve të tilla të rëndësishme me fonde të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare. Në këtë mënyrë, do të humbasim besimin e investitorëve, duke humbur kështu mundësinë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën energjitike, aq të rëndësishme për vendet tona e për gjithë rajonin. Pa këtë infrastrukturë i gjithë ky bashkëpunim për integrimin e tregjeve të energjisë do të ishte i pamundur” tha ministri shqiptar i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri. Deklaratat e tij zoti Gjiknuri i bëri në konteksin e problematikave të hasura në rastin e linjës së interkonjeksiont mes Shqipërisë e Kosovës dhe pasojat nga mosvënia e saj në punë, për shkak të bllokimit nga Serbia.
Duke prezantuar zhvillimet më të fundit në tregun e energjisë elektrike në Shqipëri zoti Gjiknuri u ndal në hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për ngritjen e Bursës Shqiptare të Energjisë. “Ne jemi të vendosur të ecim përpara në këtë proces, me një plan shumë ambicioz, që brenda vitit 2017 të ngrejmë Bursën e Energjisë dhe të shtrijmë bashkëpunimin edhe me vendet fqinje, për tu bërë pjesë e tregut të energjisë të Europës Juglindore” tha ai.