KRYEFAQJA » LAJME » Gjonaj: 500 milionë lekë në vit investime në infrastrukturën sportive
Gjonaj: 500 milionë lekë në vit investime në infrastrukturën sportive

Gjonaj: 500 milionë lekë në vit investime në infrastrukturën sportive

Para pak ditësh Federatës Shqiptare të Basketbollit, nuk i është hapur drita jeshile për të përdorur për aktivitete ndërkombëtare disa nga mjediset që zotëron, përfshirë edhe një nga emblemat e infrastrukturës sportive shqiptare Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Jo vetëm ky fakt, ka detyruar autoritetet shqiptare të mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre. Drejtori i Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, tha për TVSH se pas stadiumeve të futbollit, tani rradhën e kanë pallatet e sportit. Ai ka garantuar se kjo infrastrukturë do të përmirësohet brenda dy-tre viteve në vijim, falë një fondi prej 500 milionë lekësh çdo vit që është propozuar dhe pritet të miratohet. Në vijim intervista me gazetarin e TVSH-së, Altin Kodra.
Pyetje- Zoti Gjonaj, kemi një gjendje të tillë përsa i përket infrastrukturës sportive, ku një stadium modern futbolli është ndërtuar e një tjetër po ndërtohet, ndërkohë që komuniteti sportiv, veçanërisht i sporteve të tjera përveç futbollit, ka ngritur shqetësimin se jemi ende prapa me një pallat sporti të parametrave ndërkombëtarë. E para që po e vuan në kurriz këtë gjendje, është Federata Shqiptare e Basketbollit, të cilës nuk i është hapur drita jeshile për të përdorur cilindo nga mjediset sportive shqiptare, përfshi edhe “Asllan Rusin”. Cili është roli i Ministrisë në këtë mes dhe a ka Ministria juaj projekte konkrete për ta zgjidhur këtë ngërç të infrastrukturës sportive edhe për sportet e tjera?
Përgjigje: Padyshim, që në fillim do të thoja se Ministria i ka në përparësitë e saj përmirësimin e infrastrukturës sportive, në të gjitha llojet e sporteve. Siç e thatë edhe ju, është bërë një punë mjaft e mirë nga qeveria në këto dy vjet të qeverisjes së saj, në drejtim të investimit në infrastrukturën sportive. Ju përmendët stadiumin e Elbasanit, atë të Shkodrës, që është në përfundim e sipër, por unë do të shtoja edhe Parkun Olimpik të Tiranës, në të cilën kanë filluar punimet, si për ndërtimin e zyrave të reja për Federatat Sportive, Komitetin Olimpik, Mjekësinë Sportive, dy salla moderne për peshëngritjen, mundjen dhe artet parciale. Po kështu ka filluar puna për një palestër shumë moderne po këtu në mjediset e Parkut Olimpik të Tiranës, por dihet që ndërtimi kërkon kohën e vet dhe ne shpresojmë që nga mesi i vitit që vjen të kemi mundësi t’i vëmë në përdorim këto mjedise të reja.
Ne jemi njohur me problemin që ka basketbolli dhe kushtet që i ka vënë FIBA dhe, për këtë qëllim kemi kërkuar që të kemi investime, jo vetëm në “Asllan Rusi”, por në të gjitha pallatet dhe sallat sportive që ne kemi trashëguar që para viteve 1990. Ne kemi disa pallate sporti, të cilat, falë Zotit, me një meremetim apo rindërtim të tyre kthehen në mjedise sportive shumë të mira dhe që plotësojnë kushtet e kërkuara sot, jo vetëm për zhvillimin në to të veprimtarive kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare.
Në parashikimin buxhetor afatmesëm (PBA), që ne kemi hartuar për periudhën 2016-2018, ne kemi kërkuar që çdo vit të kemi rreth 500 milionë lekë për investime në këto objekte sportive. Këtë kërkesë të Federatës Shqiptare të Basketbollit ne e kemi futur në projekt dhe kemi kërkuar që, detyrimisht të fillojmë me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, por pa i lënë pas dore as të tjerët.
Kështu që ne shpresojmë që me buxhetin e ri t’i kemi në dispozicion këto fonde, për të bërë të mundur futjen në efiçencë dhe krijimin e një mjedisi sportiv që të jetë i përshtatshëm për të pritur këto lloj veprimtarish. Ne e dimë që ka edhe kushte nga Federatat Ndërkombëtare Sportive që Pallatet e Sportit duhet të kenë mbi të gjitha një sipërfaqe loje të mirë, ndenjëse të përshtatshme për tifozët, dhoma zhveshjeje të përshtatshme për ekipet, për gjyqtarët dhe zyrtarët, mjedise të përshtatshme higjenike, mjedise për mjekësinë, antidopingun, kushte që janë të mundshme për t’u realizuar në këto mjedise sportive që kemi ne.
Sigurisht, një tjetër kusht i domosdoshëm i kërkuar në këto mjedise sportive është sistemi i ngrohjes dhe ftohjes së ajrit, sepse, në mos gabohem, nën temperaturën 16 gradë Celcius nuk lejohet të zhvillohen veprimtari sportive dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se, po të shkosh në Pallatin e Sportit në dhjetor apo në janar për të bërë veprimtari sportive, atje rastis që shpesh temperatura të jetë më e ulët brenda sesa jashtë në qiell të hapur, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Për këtë arsye, ne e shikojmë si përparësi dhe domosdoshmëri rindërtimin e këtyre mjediseve. Jo më larg se disa ditë më parë, unë e kam ngritur këtë shqetësim dhe, në bisedën që kam patur me znj. Lindita Nikolla, Ministren e Arsimit dhe Sportit, i kam kërkuar edhe ndërhyrjen e saj, që, me çeljen e fondit të investimeve, të kemi një planifikim të veçantë për këto mjedise sportive dhe kam gjetur plotësisht mirëkuptimin e saj.

Pyetje- Ju flisni në terma afatmesëm, por a ka afate konkrete, data konkrete, duke e marrë të mirëqenë miratimin këtyre fondeve, përsa i përket nisjes së punës dhe përfundimit të saj në këto mjedise sportive e më konkretisht në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”?

Përgjigje- Natyrisht që ka përparësi dhe emergjenca, por ne do të bëjmë ç’është e mundur që Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ta vëmë të parin në efiçencë për t’i plotësuar këto kushte, qofshim këto fillimisht, edhe minimale, sepse, që të bëhen investime të mëdha, ato duan kohën e tyre dhe nuk mund të themi që, për një muaj apo për dy muaj, ne do ta realizojmë këtë objekt. Ju e dini si funksionon shteti, me procedura, me projekte, me tenderime, etj., të cilat marrin të gjitha kohën e tyre. Pra, duhet të jemi realist në këtë aspekt dhe të mos themi kot që “po, do ta bëjmë sot”.Kështu që do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që ta adresojmë dhe ta zgjidhim sa më shpejt dhe mirë këtë shqetësim që ka komuniteti i basketbollit dhe jo vetëm ai, për arsye se ne jemi të ndërgjegjshëm se në Pallatet e Sportit nuk bëhet vetëm basketboll, por atje bëhet volejbolli, gjimnastika, mundja, artet marciale, peshëngritja, boksi, futbolli i sallës… pra, janë shumë lloje veprimtarish. Pra, duhet të kemi parasysh se, nëse në një stadium futbollit mund të ushtrohen vetëm futboll dhe atletikë, nëse ai ka pistë, në Pallatet e Sporteve ushtrohen të gjitha llojet e sporteve.