KRYEFAQJA » LAJME » Gjosha në Bruksel: Synojmë çeljen e negociatave me BE
Gjosha në Bruksel: Synojmë çeljen e negociatave me BE

Gjosha në Bruksel: Synojmë çeljen e negociatave me BE

Qeveria shqiptare është e angazhuar në të gjitha formatet që të arrijë çeljen e negociatave me BE. Ministrja e integrimit Klajda Gjosha gjatë një vizite në Bruksel, siguroi Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, Johanes Hahn, se të gjitha strukturat në vend, por dhe takimi i dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet së shpejti, janë te orientuara maksimalisht drejt objektivit të marrjes së rekomandimit për negociatat. Ministrja Gjosha paraqiti faktin që Bordi i Hapjes së negociatave i drejtuar nga Kryeministri po monitoron rigorozisht planin e masave të hartuar për 5 prioritetet që të gjitha detyrat e lëna për institucionet shqiptare, të plotësohen brenda afateve.
Ministrja shqiptare Gjosha dhe kryenegociatori europian Hahn kanë vlerësuar në të njejtën optikë përkundrejt negociatave rëndësinë e reformës në drejtësi. Ministrja Gjosha, siguroi se qeveria është e vendosur për reformë të thellë dhe konsensuale në sistemin e Drejtësisë. Komisioneri Hahn kujtoi se kjo reformë është thelbësore.
Në takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin Danielson, u vlerësua progresi i raportuar me theks mbi rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi. Zoti Dannielson kërkoi bashkëpunimin mes palëve politike si shumë të rëndësishëm për avancimin me axhendën europiane.
Ministrja e integrimit nga ana e saj, argumentoi ne favor të çeljes së negociatave pas reformës në drejtësi dhe si një shtysë më e mirë për të ecur përpara me procesin, por njëkohësisht edhe për të garantuar një monitorim më efektiv të Shqipërisë nga Komisioni Europian.
Ministrja Gjosha është takuar dhe eurodeputetin Flekenshtain me të cilin bisedoi për rezolutën e Parlamentit europian për Shqipërinë të cilën ai po e përgatit.