KRYEFAQJA » LAJME » Gjosha për reformën në drejtësi: Palët politike të dialogojnë!

Gjosha për reformën në drejtësi: Palët politike të dialogojnë!

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka bërë thirrje të martën që palët politike të dialogojnë sërish për gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Duke kujtuar se reforma është kusht, ministrja Gjosha ka përjashtuar dështimin dhe e sheh kompromisin si detyrim ndaj qytetarëve për arritjen e çeljes së negociatave. “Unë nuk do të thoja se kanë dështuar, sepse ky draft mbetet për t’u votuar në Parlamentin e Shqipërisë dhe unë them që deri në momentin që ai do të votohet, si qeveria ashtu dhe opozita duhet të shfrytëzojnë çdo moment dhe çdo sekond për të bërë një kompromis të mundshëm për të kaluar reformën në drejtësi. Këtë do ta quaja me shumë interes, në radhë të parë sepse ne i detyrohemi qytetarëve shqiptarë dhe asaj çka ata presin, një Shqipëri më të drejtë ku zbatohet ligji, por nga krahu tjetër ne u detyrohemi atyre për procesin e integrimit dhe reforma në drejtësi është kushti themelor për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Për hir të integrimit ne duhet të shfrytëzojmë çdo moment për të arritur një kompromis”. Duke kujtuar se përveç negociatave, mosarritja e kompomisit pengon edhe besimin ndaj politikës e politikanëve për qytetarët. Gjosha shpreson ende në mundësinë e uljes së palëve përpara votimit të draftit.