KRYEFAQJA » LAJME » Gjosha: Zhbllokimi i Vetting-ut hap negociatat

Gjosha: Zhbllokimi i Vetting-ut hap negociatat

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një konferencë për mediat ka folur për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Një ditë pas takimit mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe kancelares gjermane Angela Merkel, Gjosha shprehet se cdo gjë varet nga ecuria e ligjit të vettingut.

“Data kur do filloje implementimi i ligjit të vettingut dhe do të shikohen pikërisht rezultatet e para që ky ligj do të japë dhe në tërësi reforma në drejtësi do të jetë pikërisht data kur këshilli  do vendose për çeljen e negociatave me shqipërinë. Natyrisht ky është një proçes i brishtë për vete faktin se gjykimi i çdo vendi anëtar varet edhe nga konjuktura  e politikës së brendshme në secilën prej vendeve por nga ana tjetër pesha e Gjermanisë në këtë proces dihet që nuk është e vogël”  u shpreh Gjosha.

Sipas Gjoshës zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë kusht për çeljen e negociatave.

“Zgjedhjet nuk janë një kusht por janë një kriter që të gjithë vendet duhet ta plotësojnë. Janë zgjedhjet ato që tregojnë se sa demokratik është vendi,  si funksionon dhe se sa respektohet vota e gjithsecilit për të zgjedhur qeverinë, parlamentin e ardhshëm që do të ketë vendi”, ka thënë Gjosha.

Ministrja Gjosha ka vlerësuar mbështetjen e kancelares Merkel në procesin e integrimit.