KRYEFAQJA » LAJME » Gjykata e Apelit lë në “Arrest shtëpie” Elvis Rroshin

Gjykata e Apelit lë në “Arrest shtëpie” Elvis Rroshin

Gjykata e Apelit ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i akuzuar për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizmin. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi rikthimin në burg të kryebashkiakut me argumentin se vepra penale për të cilën akuzohet është kryer me dashje dhe vetëdijë nga i pandehuri. Gjithashtu Prokurori e cilësoi Rroshin me rrezikshmëri të lartë shoqërorë pasi ka kryer në të kaluarën vepra të rënda penale. Ndërsa avokati mbrojtës i Rroshit, në mungesë të klientit të tij, i cilësoi argumentet e prokurorisë të pabazuara në fakte dhe prova dhe kërkoi që ndaj Elvis Rroshit të mos vendoste asnjë lloj mase sigurie. Në përfundim gjykata vendosi të lerë të pandryshuar masën për kryebashkiakun deri në përfundim të hetimit. Vetë Rroshi nuk ishte i pranishëm në gjykatë ndërkohe që edhe avokati nuk ka pranuar të beje asnjë koment pas vendimit. Elvis Rroshi është zyrtari i parë i akuzuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për dekriminalizimin.