KRYEFAQJA » LAJME » Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit socialist Kokëdhima
Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit socialist Kokëdhima

Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit socialist Kokëdhima

Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i heqë mandatin deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Vendimi është marrë pasi zoti Kokëdhima rezulton se ka përfituar në kundërshtim me ligjin tendera publikë në 150 raste, gjatë kohës që ka qenë deputet. Akuzat ndaj deputetit socialist ishin bërë kohë më parë nga Partia Demokratike, por ai vazhdimisht i kishte hedhur poshtë, duke i cilësuar akuza politike. Zoti Kokëdhima njihet si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit socialist Edi Rama. Ai është zgjedhur pas kongresit të fundit socialist, sekretar për reformën strukturore.

PD e opozitës  e cila inicoi procesin u shpreh mjaftë e kënaqur. Kreu i saj Lulzim Basha në një deklaratë të publikuar pas vendimit vlerësonte se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës është një triumf i ligjit dhe i drejtësisë, edhe pse paligjshmëria dhe zullumi i oligarkëve është i pamatë e i pafund, e nuk mbaron me të dekretuarin prej Ramës si kryeministri i Jugut. Megjithatë, kjo është një betejë e fituar e Kushtetutës me shkelësin e saj, e ligjit me abuzuesin, e Partisë Demokratike me oligarkun, e qytetarëve me hajdutin. Ky është vendim drejtësie në Ditën e Europës” përfundon zoti Basha. Opozita e djathtë ka ngritur gjithashtu akuza të ngjashme edhe ndaj dy deputetëve të tjerë socialistë, zonjës Valentina Leskaj dhe zoti Rakip Suli, por edhe këta të dy i kanë mohuar.

Në historinë e parlamentit pluralist shqiptar pas vitit 1990, është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese i heq mandatin një deputeti që ka përfituar në kundërshtim me ligjin tendera publikë. Në qershor 2011, Ilir Beqja, ministri aktual i shëndetësisë i qeverisë Rama, u detyrua të largohej nga parlamenti pas një procesi të ngjashëm. Por në atë kohë PD ishte në pushtet dhe ngjarja më shumë u trajtua në konteksin e përplasjeve politike.