KRYEFAQJA » LAJME » Gjykata Kushtetuese pezullon Vettingun, maxhoranca thotë se ligji nuk mund të ankimohet
Vettingu, Gjykata Kushtetuese: Pezullimi do vazhdojë!

Gjykata Kushtetuese pezullon Vettingun, maxhoranca thotë se ligji nuk mund të ankimohet

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar të martën zbatimin e ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si Ligji i “Vettingut”. Kjo gjykatë pritet t’i drejtohet Komisionit të Venecias për disa çështje. Vendimin e saj gjykata e mori pasi Partia Demokratike, e kundërshtoi atë si antikushtetues. Sipas opozitës organet e reja të vlerësimit vihen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë, pasi telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë.
Por para bërjes publike të këtij vendimi, deputetja socialiste Vasilika Hysi, njëherësh anëtare e Komisionit të Reformës në Drejtësi, e ftuar në emisionin e përditshëm “Mirëmëngjes Shqipëri” në TVSH, tha se duke qenë pjesë e Kushtetutës, ky ligj nuk mund të merret në shqyrtim dhe as të ankimohet në gjykatë. “Për fat, tashmë e vlerësoj këmbënguljen e ekspertëve ndërkombëtarë që thanë se pjesët më të mëdha të reformës ti bëni pjesë të kushtetutës” tha zonja Hysi. “Ata nuk kanë lënë asgjë gjë që të kritikohet apo kundërshtohet në kushtetuese. Dhe mbi të gjitha në Kushtetutë është thënë që “Ndaj përmbajtjes së kësaj Kushtetute nuk lejohet ankimi në Gjykatë Kushtetuese, me përjashtim të procedurës” shtoi ajo.
Ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, u diskutua mes polemikash të ashpra në një seancë të posaçme më 30 gusht të këtij viti. Përfundimi ishte miratimi i tij me 88 vota të mazhorancës së majtë, ndërkohë që opozita braktisi sallën. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nga ana e tij zgjodhi rrugën e heshtjes për hyrjen e ligjit në fuqi, por nga ana e saj Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.