KRYEFAQJA » LAJME » Gjykata Speciale me marrëveshje të përkohshme me Hollandën
Si do të zgjidhen ata që do të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët?

Gjykata Speciale me marrëveshje të përkohshme me Hollandën

Gjykata Speciale për Kosovën mund të nisë punën me një marrëveshje të përkohshme për selinë, deri në miratimin e Marrëveshjes me Kosovën nga Parlamenti i Hollandës, ka konfirmuar ambasadorja holandeze në Prishtinë, Gerrie Willems. Marrëveshja për Gjykatën Speciale me vendin mikpritës, Holandën, nuk është miratuar ende nga Parlamenti hollandez, për shkak të, siç thuhet, procedurat duhet të ndiqen nga vetë shteti ku do të vendoset selia e gjykatës. Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, e parashikuar të funksionojë me ligjet e vendit, por me seli në Hagë të Hollandës, ende nuk i ka përfunduar çështjet e kompletimit, përveç marrëveshjes, as edhe ato të personelit profesional. “Parlamenti i Hollandës duhet ende ta miratojë marrëveshjen e mikpritësit për selinë. Kohëzgjatja e procedurave parlamentare është e përcaktuar nga vetë parlamenti. Deri atëherë planifikuesit e projektit do të punojnë mbi bazën e një marrëveshjeje të përkohshme për selinë, që nuk kërkon miratimin parlamentar të Hollandës”, tha ambasadorja hollandeze Willems. Bashkimi Evropian ka nisur prej më shumë se një jave një njoftim tek vendet anëtare dhe shtetet e tjera kontribuuese për nominimin e kandidatëve të kualifikuar për president dhe për regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e shtypit e Zyrës së BE-së në Prishtinë, përmes postës elektronike, ka thënë se njoftimi publik është i hapur deri më 9 shtator, duke “i hapur rrugën procedurës së përzgjedhjes, bazuar në Ligj”. Infrastruktura juridike e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Hollandës për rivendosjen e kësaj gjykate në Holandë. Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës konfirmohet se Kosova ka kryer detyrimet e saj për fillimin e punë se Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës.