KRYEFAQJA » LAJME » Goditet grupi i trafikut të drogës “Ballkan”

Goditet grupi i trafikut të drogës “Ballkan”

Policia e Shtetit në bashkëpunim me katër vende të tjera ka përfunduar një nga operacione më të mëdha kundër trafikut të drogës të koduar “Ballkan”. Policia sqaron se mes të arrestuarve janë biznesmenë dhe investitorë në fushën e ndërtimit. Deri në këtë fazë të operacionit në Shqipëri janë arrestuar 14 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë; në Greqi janë arrestuar 10 shtetas dhe 10 janë shpallur në kërkim, në Maqedoni janë arrestuar 5 shtetas dhe 7 janë në kërkim, në Bullgari është arrestuar 1 shtetas, në Kosovë 4 persona janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë gjatë hetimit rezultoi se furnizues me lëndë narkotike Heroinë nga Turqia përmes ndërmjetësuesve turq dhe kosovarë, bënin dërgesa me lëndë narkotike nga Turqia për në Kosovë, Shqipëri dhe më pas Greqi apo vende të tjera të BE-së. Po kështu, segmente të këtij grupi bënin dhe dërgesa me Marijuanë nga Shqipëria për në Maqedoni, Greqi apo Turqi. Pjesëtarët e këtij rrjeti dyshohet se kanë komunikuar dhe janë takuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, Greqi duke u dakordësuar për ngarkesat e lëndës narkotike dhe rrugët e tyre. Ndërkohë, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm do të hetohen “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.