KRYEFAQJA » LAJME » Goditja me vezë provokon replika
Goditja me vezë provokon replika

Goditja me vezë provokon replika

Ngjarjet në seancën plenare të së enjtes në parlamentin shqiptar, kur opozita hodhi vezë dhe objekte të tjera në drejtim të kryeministrit Rama, kanë njohur të premten një zhvillim të ri. Opozita ka depozituar në parlament një kërkesë për masë disiplinore ndaj zotit Rama. Ajo kërkon përjashtimin e tij me dhjetë ditë nga punimet e parlamentit, pasi sipas kreut të PD Lulzim Basha, ka qenë kryeministri i cili me sjelljen dhe batutat e tij mjaftë fyese, ka irrituar deputetët e opozitës të cilët nuk kanë duruar dhe hedhur vezë dhe sende të tjera në drejtim të tij.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit Rama në Fejsbuk. “Vezokratët ndjehen të fyer?! Ndjese po s’ka qenë ky qëllimi! Thjesht jam munduar t’i marr me të mirë me pak humor, sepse i pashë të rënduar” shkruan ai.
Një ditë më parë ishte maxhoranca ajo që kërkoi dënimin me 10 ditë mospjesmarrje në seanca parlamentare të tre deputetëve të opozitës që kishin hedhur objekte të ndryshme ndaj anëtarëve të qeverisë.
Ndërkaq në rrjetet sociale ka filluar humori rreth këtyre ngjarjeve.