KRYEFAQJA » LAJME » Grabiten dy pika karburanti
Grabitet një tjetër pikë karburanti në Kashar

Grabiten dy pika karburanti

Një pikë shitje e karburantit në Tiranë ka rënë pre e grabitësve të armatosur me maska. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.12 të mëngjesit të së hënës në zonën e Qafë Kasharit. Dy persona me maska kanë shkuar pranë një pike karburanti “Gulf”, dhe duke kërcënuar me armë punonjësin kanë marrë kasafortën e parave e më pas janë larguar në drejtim të Durrësit. Sipas njoftimeve ende të pa konfirmuara shuma e parave që është grabitur llogaritet në rreth 1 milionë lekë.  Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Gjithnjë sipas saj edhe në Krujë tre persona të maskuar dhe  të armatosur kanë arritur të vjedhin 10 mijë leke në një pikë karburanti.

Vjedhja e pikave të karburantit në Shqipëri është një shqetësim serioz për policinë shqiptare. Sipas statistikave gjatë pesë vjetëve të fundit në të gjithë vendin janë vjedhur nëpërmjet grabitjes 170 pika karburantesh. Por ajo çka e bën fenomenin akoma më shqetësuese, është se janë zbuluar jo më shumë se 40 përqind e tyre. “Duhet të shohim mënyrën sesi të marrim masa që këta faktorë nxitës ti bëjmë zero, që të eliminojmë vjedhjen dhe grabitjen e karburanteve në të gjithë Shqipërinë” tha pak ditë më parë ministri i brendshëm Saimir Tahiri. Ai sugjeroi intensifikimin e përdorimit të teknologjisë në pikat e karburantit, si përdorimin e pagesës me kartë, identifikimin elektronik të targave, kontrollin me kamera etj.