KRYEFAQJA » LAJME » Grabitja në Rinas, nisin hetime të gjithanshme
Grabitja tek "Nënë Tereza", Policia: 30 mijë euro për informatorin

Grabitja në Rinas, nisin hetime të gjithanshme

Hetime të gjithanshme kanë nisur nga Prokuroria e Përgjithshme pas grabitjes spektakolare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” mesditën e të enjtes. Ato përfshijnë firmën private që merrej me transportin e parave, por edhe policinë e shtetit. Kjo e fundit konsiderohet si përgjegjëse për masat e sigurisë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit.
Specialistë të fushave të ndryshme po komentojnë ngjarjen e cila konsiderohet si mjaftë e rëndë.
Specalistët e sigurisë shprehin dyshime se si objekte të tilla, si Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i cilësuar si i rëndësisë së veçantë, ruhen me polici private.
Ndërsa specialiste të ekonomisë shtrojnë pyetjen se përse transferimi i parave jashtë vendit, duhet të kryhet nga bankat e nivelit të dytë. Sipas tyre për efekt të kontrollit të qarkullimit monetar, për efekte fiskale, por edhe për arsye sigurie, një shërbim i tillë duhet të ofrohet nga Banka Qëndrore.
Ndërkaq në vemendje të debatit mbetet edhe shuma e vjedhur. Sipas burimeve zyrtare bëhet fjalë për 995 mijë euro, por media të ndryshme spekulojnë duke e rritur atë në disa fish.
Por komentet me të shumta rreth ngjarjes po bëhen nga politika. Veçanërisht opozita ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj qeverisë, mbi segmente të së cilës po hidhen hije të forta dyshimi se është autore e kësaj ngjarjeje tronditëse për opinionin. Ndërkaq kjo e fundit ende nuk ka reaguar. Vjedhja në Rinas është e treta vjedhje në të tilla përmasa në harkun kohor të 18 muajve në Shqipëri.