KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Grekët protestojnë kundër reformave të qeverisë, kërkojnë dorëheqjen e Tsipras

Grekët protestojnë kundër reformave të qeverisë, kërkojnë dorëheqjen e Tsipras

Mijëra grekë kanë protestuar tek sheshi para Parlamentit në Athinë si dhe në qendër të Selanikut kundër reformave që ka marrë qeveria, duke i bërë thirrje kryeministrit Tsipras të japë dorëheqjen. Demonstruesit në sheshin “Sintagma”, skenë e përleshjeve të dhunshme në vitet e fundit, kanë mbajtur parulla dhe kanë hedhur thirrje kundër masave shtrënguese që ka votuar parlamenti duke përfshirë edhe reformat e pensioneve dhe tatim-taksave, në këmbim të një kësti prej 7.5 miliardë euro, i cili pritet të disbursohet javën e ardhshme. Protesta është organizuar përmes mediave sociale nga një lëvizje qytetarësh e quajtur “Dorëhiquni”. Ndërsa protesta nuk është mbështetur zyrtarisht nga ndonjë parti, zyrtarë qeveritarë kanë akuzuar konservatoret e Demokracisë së Re si organizatore të saj dhe si një forcë që kërkon të shkaktojë paqëndrueshmëri politike në një kohë vendimtare për ekonominë e dobët të vendit.