KRYEFAQJA » LAJME » Greqia kërkon ndëshkime për vendet që u mbyllën dyert refugjatëve

Greqia kërkon ndëshkime për vendet që u mbyllën dyert refugjatëve

Në prag të samitit të sotëm të Turqisë me Bashkimin Evropian për çështjen e emigrantëve, Greqia ka këmbëngulur që në këtë takim të caktohen sanksione për vendet anëtare të cilat në mënyrë të njëanshme kanë vendosur të mbyllin kufijtë e tyre për hyrjen e refugjatëve.

Zëvendësministri grek i Mbrojtjes, Dimitris Vicas, i cili udhëheq grupin e punës për refugjatët, deklaroi sot se Evropa nuk duhet të ketë në gjirin e saj “shtete-kala”.
Athina zyrtare ka kritikuar disa herë Austrinë për shkak të kufizimit të numrit të refugjatëve, çka ka sjellë grumbullimin e rreth 460 mijë syresh në Greqi. Nga ky numër, rreth 14 mijë refugjatë aktualisht janë vendosur në Idomeni, në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë.