KRYEFAQJA » LAJME » Greqia kundër sanksioneve të BE-se për Maqedoninë

Greqia kundër sanksioneve të BE-se për Maqedoninë

Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias e ka kundërshtuar idenë për sanksione evropiane për Maqedoninë në takimin e djeshëm të Këshillit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Sipas Koxias, BE-ja, nuk do t’i ndihmojë Maqedonisë nëpërmjet sanksioneve dhe trysnive publike, por duke vepruar nëpërmjet kanaleve më diplomatike dhe në drejtim të zhvillimit të kulturës së kompromisit, dialogut demokratik dhe demokracisë në punën e mediave. Koxias në deklaratat për gazetarët, ka theksuar se mungesa e demokracisë dhe aftësisë për kompromis, është problemi kryesor për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe jo vetoja e Greqisë ose kërkesa të zgjidhet çështja e emrit. Përpara kolegëve, ai ka theksuar se disa partnerë evropian e kanë përkëdhelur Maqedoninë, duke e bërë pushtetin të paaftë që të bëjë kompromise edhe brenda vetë shtetit, por edhe me fqinjët e saj. Ministri grek, propozoi që Bashkimi Evropian ta zvogëlojë trysninë publike ndaj Qeverisë së Maqedonisë dhe t’i ndihmojë dhe të veprojë nëpërmjet kanaleve diplomatike.