KRYEFAQJA » LAJME » Grusht shteti në Turqi
Grusht shteti në Turqi

Grusht shteti në Turqi

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në kryeqytetin e Turqisë Ankara, ndërsa helikopterë dhe avionë ushtarakë janë parë të fluturonin mbi qytet. Në aeroportin e Stambollit janë parë edhe tanke dhe autoblinda. Autoritetet turke kanë mbyllur dy ura në ngushticën e Bosforit në Stamboll, ku janë parë edhe atje të fluturojnë avionë luftarakë. Media të ndryshme flasin me siguri për një grusht shteti. Më parë u tha se presidenti i vendit Rexhep Taip Erdogan gjendet me pushime jashtë vendit, por më vonë u tha se ai ndodhet në një vend të sigurtë.

Kryeministri turk Binali Yildirim ka folur për një grusht shteti në tentative. “Disa persona kanë ndërmarrë në mënyrë të paligjshme veprime jashtë zinxhirit të tyre të komandës”, tha Yildirim në konferencën e transmetuar nga kanali privat televiziv “NTV”. “Qeveria e zgjedhur nga populli mbetet ende në pushtet. Kjo qeveri do të veprojë për sa kohë që populli ta vendosë këtë gjë” tha ai.

Ushtria turke ka publikuar një deklaratë, sipas së cilës theksohet se ka marrë nën kontroll qeverinë e vendit në emër të rendit demokratik, duke shtuar se të gjitha marrëdhëniet diplomatike me të huajt do të vijojnë dhe se të drejtat e njeriut do të respektohen. Televizoni shtetëror turk ndodhet në duart e ushtarakëve dhe  po ashtu edhe aeroportet e Ankarasë dhe Stambollit. Helikopterë ushtarakë patrullojnë. Grupi që thotë se ka marrë pushtetin ka ndaluar funksionimin e rrjeteve sociale.