KRYEFAQJA » LAJME » Grushti i shtetit në Turqi drejt dështimit
Grushti i shteti në Turqi drejt dështimit
EPA/SEDAT SUNA

Grushti i shtetit në Turqi drejt dështimit

Pas më shumë se katër orë tensioni të jashtëzakonshëm, situata në Turqi po shkon drejt qetësimit. Grupi i ushtarakëve që ndërmori një grusht shteti duket se është tërhequr. Kryeministri Binali Yildirim tha më herët se situata në Turqi është tërësisht nën kontroll, pasi përpjekja për grusht  shteti nga ndjekësit e Fethullah Gulenit dështoi. Edhe zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës deklaroi se tentativat për grusht shteti kanë dështuar dhe se personat që e kanë organizuar po zmbrapsen. Shumë njerëz kanë dalë në rrugë, ndërsa në rrjete sociale ofrohen pamje të civilëve dhe forcave policore që arrestojnë ushtarakë. Ende është i paqartë numri i të arrestuarve. Deri tani njoftohet për të paktën 13 ushtarakë të arrestuar, por nuk jepen hollësi rreth shkallës së hierarkisë.
Një turmë mbështetësish të presidenti Erdogan gjenden në aeroportin e Ankarasë për ta pritur. Televizioni shtetëror Turk TRT rinisi transmetimin pas disa orë ndërprerjeje. Ndërkohë “Reuters” njoftoi se një shpërthim është dëgjuar në Stamboll, ndërsa Parlamenti në Ankara është goditur nga disa bomba. Tashmë pritet bilanci i pasojave, veçanërisht ai i humbjeve në njerëz.