KRYEFAQJA » LAJME » Hahn për TVSH: Shqipëria luftë korrupsionit, zgjedhje sipas standarteve dhe Reformë në Drejtësi

Hahn për TVSH: Shqipëria luftë korrupsionit, zgjedhje sipas standarteve dhe Reformë në Drejtësi

Komisioner i BE për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit Johanes Hahn shpjegon gjatë një interviste për Televizionin Shqiptar përfitimet dhe detyrimet e Shqipërisë pas hapjes së negociatave për anëtarësim. Komisioneri thotë se vendi duhet të luftojë korrupsionin, duhet të mbajë zgjedhje sipas standarteve dhe duhet të tregojë prova të qarta të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Me komisionerin Hahn bisedoi gazetarja jonë Arta Tozaj.

Arta Tozaj: Dy vjet pas dhënies së statusit kandidat, rekomanduat nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, me kushtin e zbatimit të reformës në drejtësi. Egzaktësisht, çfarë prisni në këtë kuadër? A ju mjafton vetëm nisja e proçesit të rivlerësimit (vetting)? E duke marrë parasysh se KE propozon prej 8 vitesh radhazi ngjashëm për Maqedoninë, pa marrë dritën e gjelbër nga Këshilli i BE-së, kur prisni që të shprehen vendet anëtare për rekomandimin tuaj mbi Shqipërinë dhe si ndikon BREXIT në këtë proces vendim-marrës për Shqipërinë?

Johannes Hahn: Së pari ne duhet të pranojmë, madje unë do të thoja se duhet ta lavdërojmë Shqipërinë për punën e jashtëzakonshme që ka bërë, duke miratuar reformën e drejtësisë me unanimitet në parlament. Mendoj se |Reforma e Drejtësisë pati një fund të paprecedentë e mund të shërbejë si model edhe për vendet e tjera të rajonit. Por duhet thënë se miratimi i ligjeve është diçka, por zbatimi i tyre është gjë tjetër. Kjo është arsyeja pse ne duam të shohim hapat fillestare në këtë drejtim, përsa i takon zbatimit, që ka një karakter të pakthyeshëm. Prandaj ne vendosëm për të dhënë një lloj shpërblimi për objektivat e arritur, me rekomandimin. Por tani, duke njohur dhe humorin e disa prej vendeve tona anëtare, na duhen së pari ca hapa konkrete, sinjale përsa i takon zbatimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për proçesin vetting, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk mund të pritet deri sa i gjithë procesi të kryhet, pasi mund të marrë deri në dy vjetë. Kështu që disa hapa konkrete fillestare është ajo që ne kërkojmë dhe ky ishte kompromisi. Është një kompromis i mirë e mund të jetë “karrota”, por edhe “druri”.

Nëse me kujtohet mirë, 2 javë pas referendumit në Britaninë e Madhe, ishte samiti vjetor me vendet e Ballkanit në Paris, me praninë e udhëheqësve të ndryshëm europian. Presidenti Holland ishte atje, kancelarja Merkel, Përfaqësuesja e Lartë Mogherini, unë po ashtu, dhe të gjithë në shprehëm mbëshetjen tonë, por dhe u zotuam për zgjerim të mëtejshëm me Ballkanin Perëndimor. Jemi plotësisht të vetdijshëm se bëhet fjalë për një proces, që nuk mbyllet nesër, apo pasnesër. Ka një qëllim të qartë aty dhe askush nuk e ka ndryshuar atë. Ajo që ne duhet të shpjegojmë dhe diskutojmë me qytetarët tanë, madje ndonjëherë edhe me disa prej politikanëve tanë, është pikërisht se ky objektiv i kontribuon gjithashtu stabilitetit tonë, zhvillimit e prosperitetit tonë. Ballkani Perendimor ka tregje në zhvillim, por ajo që duhet t’u shpjegojmë sot qytetarëve tanë është se vendet e reja anetare janë një pasuri dhe nuk duhet perceptuar si një barrë. Për këtë arsye unë jam dhe kaq i fokusuar mbi zhvillimet ekonomike të të gjitha vendeve kandidate dhe besoj se ka shumë mundësira, ka një potencial të madh. Prandaj, duhet të jetë e mundshme për ta menaxhuar atë.

Arta Tozaj: Çfarë prisni nga Shqipëria për zgjedhjet e përgjithshme të radhës, luftën kundër korrupsionit
në nivel të lartë e krimit të organizuar, përfshirë luftën kundër drogës?

Johannes Hahn: Pikësëpari dhe më e rëndësishmja, pritshmëritë e mia nga zgjedhjet janë që ato të përbëjnë një tjetër dëshmi të pjekurisë demokratike në vend, që ato të mbahen në mënyrë të ndershme e transparente, përfshirë këtu që të mos ketë fyerje publike, sulme personale, pasi askush nuk duhet të harrojë ditën pas zgjedhjeve dhe duhet të bashkëpunojë,  në një mënyrë ose tjetrën. Kur bëhet fjalë për perspektivën europiane, siç kemi parë në këto vitet e fundit, pavarësisht se kush është në qeveri e kush në opozitë,  bashkèpunimi është i nevojshëm dhe sigurisht, është me e lehtë për të dhënë mbi këtë, nëse nuk ka shpesh lëndime e sulme personale.

Së dyti, lufta kundër korrupsionit është në krye të agendes sonë dhe jo  vetëm për të patur legjislacionin, por sërish për ta zbatuar atë. Nëse shoh përmbajtjen në thelb, apo cilësinë e vendimeve, e më pas kqyr detajet, vëren lehtë se më shumë kapen peshqit e vegjël, ca të mesëm, por jo ata të mëdhenjtë. Dhe besueshmëria e serioziteti për këtë zbatim lidhet gjithashtu me faktin se gjithësecili mund të preket, kur ndodh diçka, mund të dëmtohet e jo të përjashtohet.

Arta Tozaj: Pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane, duke patur parasysh bashkëpunimin BE-SHBA për sundimin e ligjit në vendet e rajonit, gjyqësorin, luftën kundër terrorizmit e me radhë, a jeni të shqetësuar se ky rezultat mund të dëmtojë përpjekjet tuaja dhe qëndrimet e përbashkëta, si deri më tani, për vendet e Ballkanit ?

Johann Hahn: Mendoj se është ende shumë herët për të bërë komente thelbësore mbi këtë, por nëse i referohem deklaratës së parë të Presidentit Trump, mendoj se do të vijojë të këtë një kohezion bashkëpunimi. Por, sërish, kjo është diçka që e kemi nisur para dy vjetësh dhe detyra kryesore është kërkesa ndaj europianëve që të kujdesen për vendet europiane. Sigurisht, nëse ka një bashkëpunim, siç ka qenë dhe është rasti në Shqipëri, është mirë, por parësore është, dhe mendoj se dhe amerikanët e kuptojnë gjithashtu njësoj, se është së pari detyra jonë që të kujdesemi për atë çfarë ndodh me fqinjët tanë të drejtëpërdrejtë.