KRYEFAQJA » LAJME » Hahn politikës: Reforma në Drejtësi të miratohet para verës
Hahn: Dialog për Reformën në Drejtësi

Hahn politikës: Reforma në Drejtësi të miratohet para verës

Komisioneri i BE për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i ka vendosur politikës shqiptare një kufi lidhur me miratimin e Reformës në Drejtësi. Zoti Hahn i cili ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor mbajtur në Durrës, tha gjatë një konference për shtyp me ministrin e jashtëm shqiptar Bushati se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet përpara pushimit të verës, në mënyrë që në tetor të shohin rezultatet. Duke ju referuar deklaratave të një ditë zoti Hahn tha se “Isha shumë i qartë dje. Bëmë një inventar të realizimit të 5 prioriteteve dhe drejtësia është në zemër të përparësive. Është element kyç dhe na duhet një vendim përpara pushimit të verës. Të respektohen mendimet e Komisionit të Venecias, të respektohet marrëveshja në parim që është arritur dhe të miratohet reforma në drejtësi” tha ai. “Miratimi është hapi i parë, ndërsa i dyti është zbatimi i saj. Duhet zbatimi i mirë që të mund të shohim në tetor rezultatet, që shpresojmë të jenë në drejtimin e duhur. Nëse është kështu, jam optimist” tha Komisioneri i BE për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Vendosja e këtij afati duket se do të detyrojë partitë politike shqiptare të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit. Shenja e parë ka qenë ftesa për komunikim që kreu i maxhorancës Rama i ka dërguar kreut të opozitës Basha. Ky i fundit është përgjigjur se nuk do t’ja mbylli kurrë derën dialogut.