KRYEFAQJA » LAJME » Hap i rëndësishëm drejt shëndetësisë falas në Shqipëri
Hap i rëndësishëm drejt shëndetësisë falas në Shqipëri

Hap i rëndësishëm drejt shëndetësisë falas në Shqipëri

Ministria e Shendetësisë ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt shëndetësisë falas në Shqipëri. Duke filluar nga e mërkura, 27 janar, falë ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”,vizitat shëndetësore pranë mjekut të familjes, do të kryhen falas edhe për personat e pasiguruar. Sipas kësaj ministrie nga kjo mundësi e re përfitojnë 600 mijë qytetarë të pasiguruar, duke realizuar praktikisht mundësinë e vizitave pa pagesë te mjeku i familjes të kujtdo që jeton në Shqipëri. Po sipas këtij ligji, personat e pa siguruar do të kenë mundësinë që edhe vizitat tek mjeku specialist t’i kryejnë kundrejt pagesës prej 100 lekësh, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
Shërbimi i vizitës shëndetësore që të pasiguruarit e marrin falas me ligjin e ri, është qartësisht një hap tjetër i sigurtë në drejtimin e duhur për përmbushjen e angazhimit themelor të Programit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, shkruan me këtë rast Ministria e Shëndetësisë në njoftimin e saj në web. Sipas saj Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, të moshës, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor.
Shëndetësia falas në Shqipëri, ishte një prej premtimeve më të bujshme dhe më të debatueshme të kryeministrit socialist Edi Rama kur ai mori pushtetin pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Ai ka qenë një objekt i vazhdueshëm sulmi i opozitës së djathtë e cila ka akuzuar qeverinë e majtë për premtime mashtruese. Madje opozita ka sulmuar ashpër ministrin e shëndetësisë Ilir Beqja për afera të shumta korruptive, por ato janë hedhur poshtë prej tij.