KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Hapet tenderi për privatizimin e INSIG-ut, Eurosig ofron 2.2 miliardë lekë
Hapet tenderi për privatizimin e INSIG-ut

Hapet tenderi për privatizimin e INSIG-ut, Eurosig ofron 2.2 miliardë lekë

Qeveria shqiptare ka nxjerrë në shitje 100 përqind të aksioneve të kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG, me vlerë 15 milionë euro. Tenderi ka nisur në Ministrinë e Financave ku kompanitë e interesuar po dorëzojnë dokumentet. Mësohet se interes kanë shfaqur katër kompani, Eurosig sha, Kastrati sëbashku me Albsig, kompania Duraku dhe Balfin. Nga ofertat e paraqitura më e larta është ajo e kompanisë Eurosig me 2.2 miliardë lekë.

Procesi i privatizimit të INSIG ka nisur që në vitin 2007, por ky proces ka dështuar disa herë. Në tentativat e privatizimit janë përfshirë edhe BERZH dhe IFC, por pa sukses. Në vitin 2010, pati shpresa për një privatizim të suksesshëm, pasi një kompani amerikane deklaroi se do t’i blinte të gjitha aksionet për 50 milionë USD, por kjo kompani më pas u tërhoq.
Dikur numri një në tregun shqiptar, me sloganin “I madh dhe i fuqishëm”, INSIG prej vitesh ka humbur pozicionin udhëheqës dhe aktualisht renditet i fundit në tregun shqiptar të sigurimeve me rreth 5 përqind. Çdo vit ai ka patur një rënie me 15-20 përqind. Vitin e kaluar parlamenti shqiptar me një vendim të posaçëm i hoqi  INSIG-ut edhe statusin e sektorit strategjik.

Privatizimi i INSIG-ut u bë dhe objekt i shkëmbimit të replikave në parlamentin shqiptar. Ish kryeministri Sali Bersha tha se vlera reale e këtij institucioni është 38 milionë euro, por po shitet me çmim të lirë për klanet. Kryeministri Rama akuzoi qeverinë e mëparshme se katandisi INSIG nga kompani lider në një fantazëm. Ai tha se ofertat janë përtej parashikimeve më optimiste dhe shkojën deri në 2. 2 miliardë lekë, përtej vlerësimit maksimal.