KRYEFAQJA » LAJME » Hapi i ardhshëm i Kosovës, anëtarësimi në Këshillin e Evropës
keshilli i evropes

Hapi i ardhshëm i Kosovës, anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Kosova po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, thonë se hapi i radhës është aplikimi për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian, edhe pse ende nuk dihet se kur do ta bëjnë këtë institucionet e vendit. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është hapi i ardhshëm i Kosovës. “Kosova ka bërë mjaft progres në të gjitha fushat dhe anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës përparime të mëtejshme. Sidoqoftë, momenti i aplikimit duhet të trajtohet me vëmendje të veçantë dhe do të bëhet në koordinim me institucionet e tjera, në mënyrë që të rezultojë me sukses”, ka thënë Murtezaj. Por nga ana tjetër, njohës të integrimeve thonë se është koha më e mirë që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pavarësisht faktit se liberalizimi i vizave është nën kujdesin e BE-së, sikurse edhe MSA-ja, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është pjesë e ndarë, por fuqizimi në ecjen përpara drejt integrimeve evropiane është argument për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.