KRYEFAQJA » LAJME » Haradinaj e quan historike deklaratën e 2 korrikut
ramush-haradinaj

Haradinaj e quan historike deklaratën e 2 korrikut

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990, si një prej ngjarjeve më domethënëse në rrugëtimin e Kosovës, drejt pavarësimit të saj, si dhe kërkon status të veçantë për deputetët e 2 Korrikut. “111 deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan një deklaratë, me të cilën e shpallnin Kosovën, njësi të barabartë në federatën apo konfederatën jugosllave dhe ky ishte hapi i parë institucional drejt pavarësisë së Kosovës”, thekson Haradinaj në një deklaratë për shtyp. Prandaj, vijon ai, kjo datë renditet lart në kalendarin e datave historike, dhe e meriton gjithë respektin, por edhe vendin që i takon në historinë më të re të shtetit të ri të Kosovës. Kreu i AAK-së tha se “shteti dhe shoqëria e Kosovës, duke e njohur statusin e tyre, e njohin historinë e vet dhe rolin që pati ky brez i deputetëve në rrugëtimin e vështirë e të gjatë të Kosovës për pavarësi”.