KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Hetimet për termetin në Itali
Hetimet për termetin në Itali

Hetimet për termetin në Itali

Në Itali po vijon hetimi mbi shkaqet që çuan në shkatërrimin e godinave pas termetit që goditi qendrën e vendit javën e shkuar. Guardia di Financa po shqyrton një sërë dokumentesh të marra nga subjekte shtetërore mbi të dhënat e punimeve të rindërtimit të shkollës së Amatrices, e cila u shkatërrua terësisht pas tronditjes sizmike të 24 gushtit. Punonjësit e njësive antikorrupsion dhe të policisë gjyqësore po veprojnë në Rieti, Torino dhe Bari në selitë e qarkut, provincës dhe në atë të inxhinierisë civile, përveçse zyrave të firmave të ndërtimit . Prokuroria e Rietit ka kërkuar sekuestrimin e serverit të Komunës së Amatrices, sëbashku me të gjithë dokumentacionin e arkivës dhe atë të zyrës së punimeve inxhinierike në të njëjten bashki. Për momentin sistemi informatik i komunës ndodhet nën rrënoja së bashku me të gjithë dokumentacionin administrativ dhe teknik që kërkohet për qëllim të hetimit, prandaj pritet që prokuroria të ngarkoje zjarrëfikësit me detyrën e kërkimit të tyre në rrenojat e godinës së komunës. Ekipet e shpëtim-kërkimit gjetën sot një trup të pajetë në rrënojat e Amatrices. Gjatë ditës së sotme, një nga të plagosurit e termetit 6.2 ballë që goditi italinë qëndore javën e shkuar humbi jetën në reaminacionin e spitalit të Peskaras, duke e çuar në 294 numrin e viktimave të fatkeqësisë.