KRYEFAQJA » LAJME » Hije skandali në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër
Hije skandali në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër

Hije skandali në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër

Pesë punonjëse të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, përfshirë dhe ish-drejtoreshën, janë ndaluar të mërkurën. Ndaj tyre rëndon veprave penale e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve”. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për ngjarje vërtet të frikshme dhe skandaloze. Fëmijë të moshave nga 6-14 janë abuzuar seksualisht, dhunuar fizikisht dhe keqtrajtuar me punë të detyruar. Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale. Hetimet kanë nisur pas sinjalizimeve të marra nga institucioni i Avokati i Popullit i cili i është drejtuar prokurorisë. Në një reagim në Fejsbuk, ministri i mirëqënies sociale dhe rinisë Blendi Klosi “dënoi me forcë rastin e rëndë të ngjarjes në Qëndrën Rezidenciale të fëmijëve pranë Bashkisë Shkodër”. Ai kërkoi hetimin e plotë të asaj që ka ndodhur nga ana e organit të akuzës. “Çdo dhunues fëmije, të marrë ndëshkimin e ligjit. Është rasti ti kujtoj çdo bashkie, përgjegjsinë prioritare për sigurimin e standarteve më të larta për trajtimin e fëmijëve” shkruan ministri Klosi.

Ngjarja zuri vend edhe në punimet e parlamentit ditën e enjte. Deputetja e PD Albana Vokshi akuzoi Ministrin Blendi Klosi se ka ngritur një sistem të shërbimit social që nuk funksionon. Ndërsa zoti Klosi i është kundërpërgjigjur se Shërbimi Social Shtetëror ka dërguar vazhdimisht raporte në lidhje me keqtrajtimin e fëmijëve në këtë institucion , por pushteti vendor nuk ka marrë asnjë masë.  

Kjo është ngjarja e dytë në pak kohë në institucionet të kësaj natyre në Shkodër. Në korrik të vitit të kaluar tre kujdestare të Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër janë proceduar penalisht për dhunë ndaj fëmijëve. Ato u denoncuan në media pasi u shfaqën në një video duke dhunuar disa të mitur. Në atë kohë ministri Klosi i shkarkoi ato nga detyra.