KRYEFAQJA » LAJME » Himara, Rama polemizon me Dulen
Himara, Rama polemizon me Dulen

Himara, Rama polemizon me Dulen

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kanë shkëmbyer sot replikat më të ashpra që pas ftohjes dhe ndarjes mes tyre afro dy vjet më parë. Shkak janë bërë zhvillimet e ditëve të fundit në Himarë, disa banorë të së cilës po kundërshtojnë me forcë prishjen e shtëpive të tyre, për ti hapur rrugë zbatimit të një plani urbanistik.
“Kemi prishje selektive dhe klienteliste biznesesh dhe banesash me një sens të theksuar hakmarrjeje, në një kohë që vazhdojnë ende, në shkelje flagrante të ligjeve, ndërtimet e sarajeve në Qeparo” tha zoti Dule. “Të gjitha këto, në emër të Rilindjes Urbane. Nuk ka rilindje që të mbulojë të vërtetën, që është grabitja e pronave të komunitetit” shtoi më tej ai. Duke ju referuar reagimit të autoriteteve greke për këtë çështje kreu i PBDNJ Vangjel Dule paralelizoi “Shqipëria e ka detyrim kushtetues të mbrojë bashkëkombasit kudo që ndodhen në botë. Po të tjerët nuk e kanë këtë të drejtë e detyrim?” pyeti ai.
Kulmi arriti kur zoti Dule ju drejtua me sulme personale ndaj kryeministrit Rama. “Ne kemi një aventurier në krye të qeverisë. Ky kryeministër ka kthyer mbrapshtë politikën dhe vlerat europiane. Ky kryeministër do të na zbulojë se armiku ynë është Greqia, vendi mikpritës i 750 mijë emigrantëve shqiptarë” tha ai, ndërsa shtoi se “…civilizimi yt është shumë larg nga civilizimi europian, të cilin ti e sheh me çallmë në kokë”.
Por për kryeminstrin Edi Rama, debati mbi planin urbanistik të Himarës është një debat shterpër. “Projekti ynë në Himarë detyron prishjen e vetëm 18 objekteve, që kryesisht janë lavazhe, kioska, magazina të vjetra apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Nga këto, vetëm për 6 objekte duhet iniciuar procedura ligjore e shpronësimit, një shifër mikroskopike me shpronësimet që janë bërë në mbarë vendin” tha ai. Zoti Rama akuzoi kreun e PBDNJ se po nxit dhe gënjen “një pjesë të atyre që janë në të drejtën e tyre të jenë të revoltuar”. “Pse për çfarë arsye ti gënjen në Athinë dhe i thua se godinat janë të ligjshme dhe do të prishen pa u respektuar procedurat?” pyeti zoti Rama duke shtuar se “Procedura është tërësisht e unifikuar”.
Kryeministri i Shqipërisë komentoi më tej reagimin e vendit fqinj lidhur me këtë çështje. “Ai që na shfaqet nëpër këmbë si ëndërr e keqe nuk e kupton se si për kaq godina mund të angazhojë një shtet fqinj, që angazhon politikanët e tij, gazetat dhe portalet që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional-populist, për të nxirë Shqipërinë” tha ai. Ashtu sikurse kishte paralajmëruar zoti Rama i ka dhënë përgjigje reagimit të politikanëve grekë ndaj deklaratës së tij për Akropolin, duke e quajtur të pakuptimtë.”Çfarë thash unë që u bë aq e madhe në Greqi? Pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë nga citimi i Gjergj Dushanit? Momentet fatlume të historisë bënë që ai të gjendej në kohën dhe në vendin e duhur për të shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane. Këtë nuk e them unë, nuk ka historian serioz që nuk e shkruan” tha zoti Rama. “Pse duhet të mërziten fqinjët tanë kur unë them se në një periudhë të caktuar në Athinë flitej shqip? Kur mua nuk më vjen keq fare kur thuhet se në Himarë flitet greqisht. Këto nuk do ta bëjnë kurrë Athinën një qytet shqiptar dhe as Himarën kurrë një qytet grek” shtoi ai.
Zoti Rama ngriti më tej tonet kur e akuzoi ish aleatin e tij se po përpiqet të pengojë integrimin e Shqipërisë. “Ti je qytetar i Europës se ke pasaportë greke, ne jemi qyetarë të Europës edhe pse pasaporta jonë nuk është e BE ende. Por kjo mos mendo se na bën ne të kompleksuar për të thënë të vërtetat nga frika se në BE ti do të influencosh. Kur them ti,  e di shumë mirë për kë po të flas dhe çfarë po them! Se këtë kërkon ti personalisht, që të influencohet që të pengohet proçesi i integrimit të Shqipërisë në BE për qefet e tua” tha zoti Rama.
Kryeministri socialist gjeti rastin të përmendte dhe çështjen çame. “Vangjel duam që lufta të mbarojë. Do ta mirëpresim të shfuqizoje dekretin mbreteror që konsideron gjendje lufte marrëdhien mes Greqisë e Shqipërisë. Kjo nuk është mbetje arkaike, e riciklueshme, por është një akt që prodhon efekte konkrete, pasoja konkrete për qytetaret shqiptarë, nese nuk të pëlqen fjala çam: E drejta për të kërkuar pronën, lirinë e lëvizjes! Kjo është e gjithë ajo që quhet çështja çame” tha kryeministri Rama.