KRYEFAQJA » LAJME » Historia e dhimbshme e refugjatit sirian

Historia e dhimbshme e refugjatit sirian

Ky është Nadir Ibrahimi, një refugjat sirian 44 vjeçar i mbetur në Turqi, si miliona të tjerë nga vendi i tij i shkatërruar nga lufta. Nadiri ka pushtuar këto ditë faqet e mediave turke për shkak të historisë së tij të pazakontë. Nadiri mbiejton prej 3 vjetësh në Stamboll duke mbledhur letra rrugëve, të cilat i shet për të siguruar bukën e përditshme. I lindur në qytetin e Alepos në Siri nga një familje me rrënjë shqiptare, Nadiri studioi për ekonomi në Marok dhe më pas u specializua dhe punoi në Spanjë dhe Angli. Është folës i 5 gjuhëve të huaja dhe, para luftës ishte biznesmen i suksesshëm në vendin e tij.
Por lufta shkatërroi gjithçka dhe Nadiri u largua nga Alepoja, e la familjen te disa të njohur në Liban dhe vetë përfundoi në Turqi si mbledhës letrash. Pasi hstoria dhe aftësitë e tij u bënë të njohura nga mediat turke, Nadiri ndjeu se mund të ketë një rreze drite edhe në jetën e tij. Punëdhënës të ndryshëm nga i gjithë vendi, pasi lexuan nëpër gazeta dhe panë në televizion jetën e Nadirit, kontaktuan me të në telefon dhe i kanë bërë oferta për punë dhe vend qëndrimi bashkë me familjen. Oferta i kanë ardhur që nga kompanitë e pjesëve të këmbimit, kompanitë e shërbimeve të konsulencës dhe deri te dyqane të suvenireve në tregjet e Stambollit. Nadiri shprehet i habitur nga interesi i papritur. Ai thotë se do të pranojë ofertën e parë të punës që i erdhi, nga një kompani kozmetike, duke thënë se tani Turqia ishte atdheu i tij i dytë.