KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Hungaria në Euro 2016, mund Norvegjinë 2-1
Hungaria në Euro 2016, mund Norvegjinë 2-1

Hungaria në Euro 2016, mund Norvegjinë 2-1

Hungaria pret biletën për në Francë pas fitores 2-1 kundër Norvegjisë, ndeshja e kthimit e play-off-it, në stadiumin Groupama Arena të Budapestit. Hungaria kështu bëhet skuadra e 21-të që fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Euro 2016.

Që në gjuajtjen e parë në portë Hungaria, e drejtuar nga gjermani Bernd Storck, kalon në avantazh. Është minuta e 14-të Priskin merr një top mes tre kundërshtarëve, pozicionohet në qendër dhe bën një gjuajtje të bukur me të djathtën në shtyllën më të largët që nuk i lë shteg portjerit Nyland. Në minutën e 27-të, vjen rasti i parë për norvegjezët me anë të Aleesammi që hyn në zonë dhe gjuan por ndërhyrja e portjerit ekspert hungarez, Kiraly, është e magjishme. Në minutën e 36-të Kleinheisler, autori i golit në Norvegji, kroson për Lovrencsics që godet me kokë por topi del jashtë. Në minutën e 40-të Priskin është pranë dyfishimit të rezultatit. Në fundin e pjesës së parë vepron Norvegjia, Odegaard jep kros për Hovland por gjuajtja e tij vulos shtyllën.

Në fillim të pjesës së dytë trajneri norvegjez Per-Mathias Hogmo nxjerr jashtë Elyounoussi dhe Odegaard dhe i zëvendëson me Helland dhe Pedersen. Norvegjezët e shtojnë forcën por janë pa ide. Të zotët e shtëpisë i shkojnë shumë pranë golit të dytë kur Dzsudzsak në të 58-en minutë godet me të majtën por topi godet traun e portës. Në minutën e 72-të është përsëri Dzsudzsak që kalon dy kundërshtarë, gjuan me të djathtën por pret portjeri norvegjez duke e nxjerrë topin jashtë. Në minutën e 76-të Pedersen gjuan në portën e Kiraly që e flak tutje gjuajtjen e kundërshtarit. Në minutën e 83-të vjen goli i sigurisë për vendasit. Nga një goditje nga këndi nga ana e Dzsudzsak, Henriksen shënon autogol. Po Henriksen shkurton avantazhin vendas në minutën e 87-të, por është shumë vonë për ta kthyer lojën. Kualifikimi për në Euro 2016 është një realitet.