KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Hungaria voton sot referendumin për kuotat e refugjatëve
hungari, referendum, voton, emigrantet, ligji

Hungaria voton sot referendumin për kuotat e refugjatëve

Hungarezët po votojnë sot në referendumin për planin e Bashkimit Evropian për kuotat e migrantëve dhe refugjatëve, ndërkohë që pritet një refuzim i vendosur për këtë politikë të unionit. Kryeministri Viktor Orban, një antimigrant i vendosur, ka kundërshtuar prej kohësh këtë plan, madje ka sugjeruar që një milion migrantët që kaluan nëpërmjet vendit të tij gjatë krizës së viteve 2015-16 duhej të dëboheshin dhe të vendoseshin në një ishull të madh. Në këtë referendum, qytetarët duhet t’i përgjigjen me ”po” ose ”jo” pyetjes “A dëshironi që Bashkimi Evropian, pa konsultimin me parlamentin hungarez, të dekretojë vendosjen e detyrueshme të qytetarëve jo hungarezë në Hungari?”. Për këtë referendum janë regjistruar më shumë se tetë milionë hungarezë dhe që ky referendum të jetë i vlefshëm duhet që të votojnë më shumë se gjysma e tyre. Nuk dihen pasojat e një vote ”jo” kur Bashkimi Evropian ka ngulur këmbë që Budapesti nuk mund të kthejë vendimin për kuotat e migrantëve. Referendumi mbyllet në orën 18:00 dhe rezultatet e para priten sot në mbrëmje vonë.