KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Hyn në fuqi marrja e lejeve të ndërtimit on-line

Hyn në fuqi marrja e lejeve të ndërtimit on-line

Që nga 1 shtatori, ka hyrë në fuqi marrja e lejeve të ndërtimit on-line, duke i dhënë fund mënyrës burokratike dhe mjaftë problematike që ka egzistuar deri tani. për marrjen e tyre. Që nga kjo ditë në të gjitha bashkitë e vendit, qytetarët apo investitorët mund t’i bëjnë kërkesat e tyre vetëm në rrugë elektronike, duke shmangur atë që rëndom është quajtur “tufa e letrave nëpër duar”.
Aplikimi do të kryhet në portalin “e- Albania”, ku aplikuesi ka akses për çdo hap apo vendim, ndërsa institucionet e përfshira do të komunikojnë me njëra- tjetrën përmes sistemit. “Lejet e ndërtimit do të jenë on-line, si për nivel qytetarësh investitorësh në nivel bashkie” spjegon për  TVSH ministrja e zhvillimit urban Eglantina Gjermeni.  Ndërsa sipas saj “kur bëhet fjalë për ndërtime strategjike Agjensia e Zhvillimit të Territorit, sekretariati teknik i zhvillimit të territorit do të bëjë të mundur gjithë realizimin e këtij dokumentacioni dhe dhënien e përgjigjeve brenda afateve, ndaj firmave apo sipërmarrësve që kanë aplikuar”.
“Transparenca, espektimi i afateve, korrektesa do të jenë të monitoruara në çdo moment” tha zonja Gjermeni lidhur me këtë proces, ndërsa kujtoi se në ligj egziston edhe klauzola e miratimit në heshtje të lejeve. “Në momentin që bashkia nuk përgjigjet ndaj qytetarëve apo investitorëve brenda afatit ligjor që është 60 ditë, do te ketë një miratim në heshtje të lejes së ndërtimit. Por, nëse ajo është e gabuar, specialistët, institucioni i bashkisë, do të kenë përgjegjësi për faktin që nuk kanë vepruar” tha zonja Gjermeni.
Ministrja e zhvillimit urban tha se karahas sistemit on-line të marrjes së lejeve të ndërtimit, paralelisht po ecen edhe miratimi i 31 planeve të përgjithshme vjetore. “Aplikimimet për leje dhe dhënia e lejeve në këto bashki që kanë plane të përgjithshme vendore, sigurisht është shumë më e lehtë, është shumë më e monitorueshme, pasi bashkitë mund të shikojnë nëse aplikimi është në përputhje me planin ose jo. Për bashkitë që nuk kanë plane të përgjithshme vendore, aplikimi do të vazhdojë për leje të caktuara” tha zonja Gjermeni.
Aplikimi on line për marrjen e lejeve të ndërtimit nuk rëndon askënd financiarisht, por shmang harxhimin e kohës për marrjen e dokumentave nga një institucion në tjetrin.