KRYEFAQJA » LAJME » Bota » I ftohti ekstrem përfshin Perunë
peru

I ftohti ekstrem përfshin Perunë

Një valë e menjëhershme të ftohti ekstrem në Andet e Perusë është bërë shkak për ngordhjen e një numri të madh kafshësh. Temperaturat në zonë kanë rënë në minus 4 gradë celsius, e ndonëse është dimër në këtë pjesë të hemisferës jugore, ngrica të tilla janë të pazakonta, duke sjellë një të ftohtë rekord këtë vit. Dëbora ka mbuluar mbi 15 krahina të rajonit. Më të prekurit nga moti i acartë janë njerëzit që e nxjerrin jetesën nga bagëtitë e bujqësia. Një ndër zonat e goditura më rëndë është Puno, pranë kufirit me Bolivinë. Moti i keq atje ka prekur gati 178.000 persona, e nuk janë të paktë ata që po vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjese. Mbi 18.000 kafshë kanë ngordhur dhe 10.000 hektarë të mbjella janë prekur, 70 nga të cilat janë shkatërruar plotësisht. Shërbimi kombëtar i meteorologjisë dhe hidrologjisë parashikon vazhdimin e reshjeve të dëborës në Puno. Banorët e zonës i kanë kërkuar mbrojtjes civile veshje të ngrohta, streha, vitamina e ushqim për kafshët, e një apel të ngjashëm i kanë drejtuar edhe pushtetit lokal dhe atij qendror.