KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “IDEALE DHE VEPRA ARTI” në Galerinë Kombëtare të Arteve
“IDEALE DHE VEPRA ARTI

“IDEALE DHE VEPRA ARTI” në Galerinë Kombëtare të Arteve

Më datën 24 qershor 2016, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest kanë kënaqësinë të prezantojnë për publikun ekspozitën “IDEALE DHE VEPRA ARTI / Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig, Budapest”. Ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm prej mëse 2 vjetësh mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Hungari.

Përzgjedhja, që përfshin disa nga artistët më të njohur bashkëkohorë hungarezë të tillë si László Fehér, László Lakner, Dóra Maurer, Sándor Pinczehelyi e të tjerë, pasqyron të kaluarën e afërt dhe artin bashkëkohor të Hungarisë përmes veprash kryesisht në fotografi dhe multimedia, e që shpesh përfshijnë figurën e artistit.

Sipas kuratores së ekspozitës Krisztina Szipőcs, pika kryesore e ekspozitës është të zbulojë “idetë dhe mendimet pas çdo vepre, të tilla si ideologjitë, qëllimet dhe idealet – mes tyre komunizmi, shoqëria e konsumit, nacionalizmi, idealet mbi të bukurën, mendimi fetar, liria – të cilat kanë ndryshuar shumë këto 40 vjetët e fundit. Veprat e ekspozuara janë dokumente të një epoke, gjurmë të idealeve dhe vlerave që përshkojnë jetën e përditshme dhe artin.”