KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Idomeni, Greqia nis evakuimin e migrantëve
idomweni

Idomeni, Greqia nis evakuimin e migrantëve

Greqia ka nisur evakuimin e mijëra migrantëve të bllokuar në kampin e improvizuar në Idomeni, në kufi me Maqedoninë. Operacioni, për t’i transportuar njerëzit në objekte të organizuara më mirë, ka nisur herët në mëngjes. Trupat speciale janë në gjendje gatishmërie, por zyrtarët kanë thënë se nuk do të përdoret forca. Kampi është ngritur në shkurt, pasi mbyllja e kufirit në Maqedoni ka bërë që mbi 8,000 njerëz të mbeten të bllokuar atje. Migrantët, shumica të ikur nga zonat e konfliktit në Siri, Irak dhe Afganistan, kanë refuzuar të lëvizin, edhe pse kanë fjetur në tenda dhe në kushte shumë të vështira. Policia, sot, ka ndaluar gazetarët t’i afrohen kampit. Por, njësitet policore janë parë duke bartur migrantët me autobusë, ndërsa një helikopter ka monitoruar operacionin. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Giorgos Kyritsis, ka thënë të hënën se të gjithë migrantët do të zhvendosen dhe se operacioni do të zgjasë rreth një javë. Kyritsis ka shtuar se shumica e migrantëve do të vendoset në kampe të reja pranë qytetit të Selanikut. Vendimi i Maqedonisë për të ndaluar migrantët që të kalojnë kufirin nga Greqia ka pasuar një njoftim të Austrisë për forcimin e kontrolleve të saj kufitare. Që atëherë, edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë mbyllur kufijtë e tyre.