KRYEFAQJA » LAJME » Idrizi në parlament: Nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve në Çamëri, nuk do lejojmë varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri
Idrizi në parlament: Nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve në Çamëri, nuk do lejojmë varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri

Idrizi në parlament: Nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve në Çamëri, nuk do lejojmë varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri

Rezultatet e vizitës së fundit të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati në Athinë, duket se nuk kanë përmbushur pritshmëritë e PDIU, aleati më i ri i koalicionit të majtë qeveritar. Kreu i kësaj partie deputeti Shpëtim Idrizi, njëherësh dhe nënkryetar i parlamentit shqiptar, tha se i kish bërë përshtypje mos hapja e çështjes çame në mënyrë direkte në konferencën e përbashkët Bushati – Kotsias. Sipas tij “Ky detyrim buron nga rezoluta e parlamenit, por dhe nga një rezolutë që PS e propozoi”, sipas të cilës “kryeministri do vinte një herë në 6 muaj të raportonte për çështjen çame”. Zoti Idrizi kujtoi se bashkë me shoqatën “Çamëria” ka kërkuar të ngrihen varrezat për shqiptarët e Çamërisë të vrarë e të masakruar në Greqi nga bandat e Napolon Zervës. “Në Igumenicë ndodhet një përmendore e Napolon Zervës dhe në këto kushte nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve të  Çamërisë të masakruar atje, do të marrim të gjithë hapat për moslejimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri” kërcënoi deputeti i PDIU. Deklarata e tij nuk mori përgjigje, ndonëse shefi i diplomacisë Ditmir Bushati ishte i pranishëm në sallën e parlamentit. Në prag të vizitës së zotit Bushati në Athinë, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, i kërkoi publikisht që në bisedime me palën greke, të diskutohet edhe Çështja e Shqiptarëve të Çamërisë, duke i kujtuar se zgjidhja e saj është edhe në programin e qeverisë Rama.