KRYEFAQJA » LAJME » Idrizi: PDIU do të bëhet parti e madhe!
Idrizi: PDIU do të bëhet parti e madhe!

Idrizi: PDIU do të bëhet parti e madhe!

Partia Drejtësi, Integrim, Unitet, aktualisht partia e katërt më e madhe në parlamentin shqiptar me 5 deputetë, po deklaron ambicjen për të rritur më tej numrin e përkrahësve të saj, ndërsa zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parashikohen të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm. Gjatë një takimi në qytetin e Peqinit, një nga zonat ku PDIU ka mbështetje të fuqishme, kryetari Shpëtim Idrizi u shpreh se ajo do të bëhet parti e madhe, pasi ka njerëz që e mbajnë fjalën. “Ne jemi nisur për t’u bërë parti e madhe, sepse kemi njerëz që e mbajnë fjalën, ne kemi njerëz që janë përditë me hallet dhe problemet e njerëzve, por sigurisht që jemi parti e kazuave të mbajtura” tha zoti Idrizi.“Unë ju ftoj që të bëheni pjesë e Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet. Miqtë e mi, motra dhe vllezër, ne kemi parë dhe ju e shihni politikën nga jashtë. Nuk kemi për të bërë dot as zhvillim, as prosperitet, nëse ju nuk merrni dhe bëheni pjesë e vendimarrjes” këmbënguli zoti Idrizi.
Nga ana e saj deputetja Mesila Doda e cila i është bashkuar PDIU kohët e fundit, bëri të ditur iniciativën e radhës që në parlament nga 140 deputetë gjysmat të jenë gra dhe vajza. “Iniciativa jonë e ardhshme duhet të jetë 50 për qind e grave në parlament. Sepse gratë janë pjesa më rëndësishme e këtij vendi. Gratë janë pjesa ende e pashfrytëzuar e gjithë burimeve njerëzore të vendit. Gratë kanë mundësi që të sjellin një qasje tjetër, e cila është ajo, që bëhet pjesë e politikës me zemër dhe jo thjesht për t’ju marrë votën”, tha deputetja Mesila Doda.
Deputeti Tahir Muhedini preku një nga kauzat më të ndjeshme të PDIU, atë të çështjes çame. “Partia jonë është e hapur dhe ka një çështje të madhe kombëtare, në themel të saj ka zgjidhjen e çështjes çame. Ne populli i Çamërisë kemi vuajtur me atë genocid, akoma më keq në Shqipëri. Sistemi i diktaturës u soll shumë keq me ne. Ne sot përfaqësohemi në Parlamentin Shqiptar me 5 deputetë. Jeni ju forca jonë, që na votoni dhe ne përfaqësohemi me djemtë tanë në Parlament” tha zoti Muhedini duke shprehur shpresën se në qarkun e Elbasanit PDIU mund të marri 3 deputetë.