KRYEFAQJA » LAJME » Ikën Xhelili, Dibra në zgjedhje
Ikën Xhelili, Dibra në zgjedhje

Ikën Xhelili, Dibra në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë të hënën kërkesen e ish kryebashkiakut të Dibrës Shukri Xhelili për t’u kthyer në detyrë. Ai ishte shkarkuar nga detyra prej kreut të qeverisë në muajin maj, menjëherë pas publikimit të një videoje, ku ish kryebashkiaku shikohej në episode të ndryshme duke i kërkuar favore seksuale një vajze në këmbim të një vendi pune.
Me këtë vendim përfundimtar të kësaj gjykate, u hapet rruga zgjedhjeve të reja vendore në Dibër. Sipas ligjit, presidenti Nishani brenda dy ditëve duhet të shpallë zgjedhjet,të cilat duhet të mbahen midis 1 dhe 15 shtatorit.
Mbajtja e këtyre zgjedhjeve vjen në kulmin e debateve dhe miratimeve për Reformën në Drejtësi, por edhe problemeve brenda koalicionit të majtë që qeveris. Si të tilla ato do të konsiderohen si një test për qeverinë dhe opozitën. Në Dibër, në zgjedhjet lokale të vitit 2015, koalicioni i majtë që përfaqësohej nga Xhelili, arriti të fitonte ngushtë pas një dominimi disa vjeçar të së djathtës.