KRYEFAQJA » LAJME » IKMT nis operacionin
IKMT nis operacionin

IKMT nis operacionin

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur të mërkurë një aksion masiv për prishjen e ndërtimeve pa leje në të dy anët e autostradës nga Durrësi në Vlorë. Sipas IKMT-së janë planifikuar të prishen 300 objekte. Ato janë të madhësive të ndryshme dhe vlerësohen se paraqesin rrezikshmëri të lartë për qarkullimin rrugor. IKMT njoftoi se ka marrë masa paraprake për të mënjanuar vështirësitë që mund të hasen në qarkullimin rrugor gjatë këtij operacioni. Ky është operacioni i dytë i madh i IKMT pas atij të nisur në vitin 2013 kur koalicioni i majtë erdhi në pushtet. Këto operacione kanë provokuar polemika të ashpra mes qeverisë dhe opozitës.
Kryeministri socialist Edi Rama, deklaroi në atë kohë se “Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri”.
Por kreu i opozitës Lulzim Basha shkruajti në atë kohë se “Nuk mund të gjesh në botën demokratike një kryeministër të vetëm që merret gjithë ditën me gardhet, bahçet dhe vitrinat e dyqaneve dhe asnjë minutë me problemet ekonomike, papunësinë, varfërinë, arsimin dhe shëndetësinë”.
Pa dyshim se operacioni i fundit do të ngjalli reagime të reja.