KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Indi, dhjetëra banorë humbin jetën nga përmbytjet
indi

Indi, dhjetëra banorë humbin jetën nga përmbytjet

Në Indi, në pjesën verilindore dhe lindore të vendit ka patur përmbytje të mëdha, të shkaktuara nga shirat dhe vërshimi i lumenjve. Miliona njerëz kanë mbetur pa strehë. Ministri i Brendshëm i Indisë Rajnath Singh, tha se autoritetet kanë bërë një studim nga ajri të rajoneve të prekura nga përmbytjet në shtetin verilindor të Asamit. Erozioni i tokës në shumë vende i ka detyruar fshatarët të zhvendosen nëpër kampe strehimi. Shirat e pandërprerë gjatë këtij muaji kanë përmbytur qindra fshatra, duke shkaktuar zhvendosjen e mijëra njerëzve në shtetin e Asamit, të pasur me naftë dhe të njohur për kultivimin e çajit. Edhe pse intensiteti i reshjeve filloi të bjerë të shtunën, zyrtarët thonë se niveli i ujit nëpër lumenj është ende tepër i lartë. Autoritetet kanë hapur më shumë se 800 qendra të përkohshme strehimi, qendra të shpërndarjes së ushqimit dhe ilaçeve përreth rajoneve të prekura nga përmbytjet. Të paktën 175 mijë njerëz në zonën fqinje të Meghalaya-s janë prekur nga përmbytjet. Në vitin 2014, ky rajon ishte përfshirë nga përmbytjet më të mëdha, ku humbën jetën 90 njerëz. Administrata lokale u ka bërë thirrje njerëzve të prekur nga përmbytjet të zhvendosen në zona më të larta. Përmbytjet janë një problem i përvitshëm gjatë sezonit të shirave në Azinë Jugore, por pasojat e tyre janë shtuar për shkak të përkeqësimit të infrastrukturës, bllokimit të kanaleve të kullimit dhe zgjerimit të pakontrolluar të zonave urbane.