KRYEFAQJA » LAJME » Infantino do një botëror me 48 skuadra: “Më shumë kombe të lumtura”
Infantino do një botëror me 48 skuadra: "Më shumë kombe të lumtura"

Infantino do një botëror me 48 skuadra: “Më shumë kombe të lumtura”

Një botëror gjithnjë më të madh dhe përfshirës. Kjo është ideja e presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, pasi i hapi rrugë Botërorit me 40 skuadra, tani propozon një manifestim me 48 kombëtare pjesëmarrëse, duke filluar nga viti 2026. “Më shumë vende dhe rajone në të gjithë botën do të jenë më të lumtur”, deklaroi ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s.

Infantino e kishte bërë menjëherë të qartë se çfarë kishte ndër mend të bënte që në programin e tij për zgjedhjet e presidentit të FIFA-s në shkurtin e shkuar ku kishte propozuar një botëror me 40 skuadra: “Duke bërë pjesëmarrës 8 vende të tjera do t’u japim mundësinë për t’u kënaqur me Botërorin më shumë tifozëve, duke marrë kështu një përfaqësi më globale”. Pra, një rritje nga 32 pjesëmarrës sipas formatit aktual në 40 gjithsej. Por, duke folur në Universitetin Sergio Arboleda në Bogota, Kolumbi, Infantino e rregulloi atë që ka në mendje, duke e zgjëruar akoma më tej këtë kampionat: “Me 40 kombëtare nuk dalin llogaritë matematikisht. Për këtë duam të përfshijmë 48 skuadra. Ideja është se 16 skuadra do të shkojnë menjëherë në fazën e grupeve, ndërsa 32 skuadrat që mbeten do të bëjnë një tur paraeliminator, gjithnjë në vendin pritës, duke u ndeshur për 16 vendet e mbetura në një takim të drejt për drejtë.

Formati aktual përmban tetë grupe me nga katër skuadra dhe që përbëhet nga dy faza, atë të grupeve dhe atë me eliminim direkt. Dy të parat e çdo grupi kalojnë në 1/8-at e finaleve, ku të parat përballen me të dytat dhe duke vazhduar më pas me një tabelë tenistike deri në finale. Sipas risive që do Infantino, këto dy faza do të mbeten të njëjta, thjesht do të shtohet një fazë e re me eliminim direkt para fazës në grupe, në një farë mënyre duke ndryshuar fazën kualifikuese, por jo vetë Botërorin. Duke luajtur një fazë para grupeve në vendin pritës, krijohet përshtypja, se faza finale e Botërorit është zgjëruar, dhe siç pohon Infantino: “Do të thotë se do të vazhdojmë me kampionatin aktual që ka 32 skuadra, por në ngjarjen festive do të shkojnë 48 skuadra”. Është një mënyrë për të hapur më shumë kufinjtë e futbollit, objektiv i FIFA-s dhe i presidentit Infantino: “Duam të zhvillojmë futbollin, dhe Kupa e Botës është ngjarja më e madhe: është më shumë se një garë, është një ngjarje sociale”. Propozimi i presidentit Infantino për Botërorin 2016 do të diskutohet në Zyrih javën e ardhshme në Këshillin e FIFA-s të 13 dhe 14 tetorit. Vendimi përfundimtar duhet të merret brenda vitit 2017.