KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Informaliteti, Rama dhe Berisha përplasen në parlament
Informaliteti, Rama dhe Berisha përplasen në parlament

Informaliteti, Rama dhe Berisha përplasen në parlament

Paketa e qeverisë kundër informalitetit të biznesit ka shkaktuar debate të ashpra në seancën parlamentare të së mërkurës. Kryeministri socialist Edi Rama u shpreh mjaftë i vendosur se qeveria e tij nuk do të tërhiqet deri në formalizimin e poltë të ekonomisë. Me një gjuhë të drejtëpërdrejtë ai paralajmëroi bizneset që sipas tij duan të mashtrojnë shteti se nuk do të fshihen pas qepenave. “Kush do të tentojë të fshehë taksat do të përballet me ligjin” tha zoti Rama. Por ajo cka solli reagimin e opozitë së djathtë ishin akuzat e kryeministrit të majtë se opozita po nxit shkeljen e ligjit, duke u bërë palë me ata që fshehin taksat dhe vjedhin paratë publike. “Nuk është e mundur, që një forcë politike që kërkon të qeverisë, e që deri dje ka qeverisur vendin, të bëjë thirrje haptazi për të mos u regjistruar, për të mos marrë kasat fiskale dhe për të mos paguar taksat” tha zoti Rama. Kryeminsitri tha se aksioni është mbështetur edhe nga  ndërkombëtarët, duke hedhur poshtë kërkesën e opozitës për amnisti ndaj bizneseve.
Por ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar me mjaftë ashpërsi duke e cilësuar aksionin e qeverisë një fushatë terrori mbi biznesin. “Kjo nuk është fushatë formalizimi, por është fushatë diferencimi që rikujton terroret e pushtuesve mbi popullatat shqiptare jashtë Shqipërisë” tha zoti Berisha. Sipas tij qeveria po godet bizneset e  vogla që mezi po mbijetojnë, dhe po mbron kompanitë e saj. “Kjo është, që t’i kërkosh njërit me tezgë të presë faturën, kurse tjetrin, që bën dhjetëra milionë xhiro në ditë, ta lësh të funksionojë pa faturë, sepse rri në krah të pushtetit dhe kryeministrit” tha zoti Berisha.