KRYEFAQJA » LAJME » Insiativa “Kujtesa si Mision” për të rishkruar historinë
Insiativa “Kujtesa si Mision”

Insiativa “Kujtesa si Mision” për të rishkruar historinë

Historianët vlerësojnë se nxënësit në Shqipëri, edhe pas 26 vitesh demokraci, e kanë ende të vështirë të perceptojnë nga tekstet shkollore të vërteten historike pas viteve ’20 të shekullit të kaluar. Kjo sipas tyre për shkak të mungesës së koncepteve bazë, fakteve, dokumentave origjinalë të fshira gjatë kohës së dikaturës komuniste. “Ende mungojnë konceptet bazë të formimit të një nxënësi shqiptar laik, krenar për traditën dhe të qartë për perspektivën kontinentale” thotë për TVSH profesori i historisë Romeo Gurakuqi. Sipas tij “Për shkak të kësaj mungese, nxënësi shqiptar, por edhe publiku shqiptar, ndodhet nën presionin e të vërtetave të ndërprera, të krijuara në një kohë prej historiografisë, shkrimtareve dhe propagandës zyrtare të diktaturës dhe në boshllëkun e mosnjohjes reale të historisë së shkollës shqipe, të historisë së rilindjes nacionale, pavarësimit të vërtetë të shkollës, teksteve etj”.
Nga ana e saj Zv/Minsitrja e Arsimit Nora Malaj, thotë për TVSH se edhe pas 26 vjetësh, ndjeshmëria për të rishkruar historinë është shumë e madhe, pasi sipas saj ka ende tendenca komunikimi me ngarkesa të larta emocionale. “Jemi në fazën që kjo i përket diskutimit të kurikulës së re të vitit 2017, të mënyrës të të shkruarit të historisë, e cila do të vendosi të gjitha qasjet dhe pikat mbi “i”” thotë zonja Malaj. Ajo vlerëson se në këtë mënyrë “…të mos kemi me kakofonira, të mos kemi më nxitje pasioni dhe inati, por të shkruhet historia pa pasion, me fakte, të shkruhet mbi bazën e dokumentave dhe duke i sjellë ditët e kujtesës në memorie, sepse memoria institucionale dhe ajo kombëtare është shumë e rëndësishme”.
Kurikula e re e historisë pritet të vlerësojë historinë mbi bazën e fakteve, të ofrojë veprimtari jashtë orës së mësimit dhe të prodhojë mesues që kanë metodologji shpjeguese bashkëkohore. Diskutimet ishin pjesë e insiativës “Kujtesa si Mision”, ku për herë të parë, përgjatë një jave, 60 ekspertë të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë, Çekisë, Rumanisë, Lituanisë, Bosnjë Herzegovines dhe Kosovës do të diskutojnë mundësitë aktuale të rishkrimit të historisë dhe dikatutrës komuniste nën shembullin e modeleve më të mira.