KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » INSTAT: Në 2014-n PBB i Shqipërisë ishte 10 miliardë euro
INSTAT: Në 2014-n PBB i Shqipërisë ishte 10 miliardë euro

INSTAT: Në 2014-n PBB i Shqipërisë ishte 10 miliardë euro

Prodhimi i Brendshëm Bruto në vitin 2014 u vlerësua 1.400.549 milion lekë (10.01 miliardë euro), me një rritje prej 2.02 % përkundrejt 2013-ës, njoftoi të premten Instituti i Statistikave në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake me baza vjetore, PBB me çmime korente në vitin 2014 u vlerësua 1.400.549 milion lekë (10.01 miliardë euro). Mbështetur mbi këto rezultate, PBB për frymë në vitin 2014 arriti në 484 mijë lekë (ose 3.457 €) nga 466 mijë lekë (ose 3.323 €) që ishte në vitin 2013.
Në vitin 2014 ekonomia shqiptare shënoi një rritje reale (në volum) prej +2,02 % krahasuar me vitin 2013. Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “aktivitete profesionale dhe shërbime administrative” me 0,76 pikë përqindje, e ndjekur nga degët “tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me 0,47 pikë përqindje. “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” kontribuan me 0,44 pikë përqindje, “administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 0,42 pikë përqindje,” industria, energjia dhe uji” me 0,37 pikë përqindje dhe Shërbimet e tjera me 0,31 pikë përqindje.
Degët që kanë kontribuar negativisht janë “ndërtimi” me -0,76 pikë përqindje dhe “informacioni e komunikacioni” me -0,06 pikë përqindje. Taksat dhe subvencionet mbi produktet kontribuan respektivisht me 0,04 pikë përqindje dhe 0,02 pikë përqindje. Përsa i përket strukturës së PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2014 vazhdojnë ta zënë shërbimet gjithsej me 45,4 % të PBB, të cilat u rritën me +4,29 % në terma realë. Industria dhe ndërtimi përbëjnë 21,9 % të Produktit të Brendshëm Bruto, por ndërsa industria u rrit me +2,93 % në volum, ndërtimi ka pësuar një rënie prej -7,33 %.
Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 20,0 % të PBB dhe janë rritur me 2,25 % në terma realë. Deflatori i PBB-së për vitin 2014 ishte +1,6 %. Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, me 90,49%. Ky komponent u rrit me +5,52 % në terma nominalë dhe +3,32% në terma reale. Në vitin 2014, formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24,48% të PBB-së, u ul me -2,05% në terma nominalë dhe -3,90 % në terma realë krahasuar me vitin 2013. Eksportet neto të mallrave dhe shërbimeve u rritën me 8,76% në terma nominalë dhe me 10,08% në terma realë, krahasuar me vitin 2013.