KRYEFAQJA » LAJME » INSTAT: Punësimi në 2015 është rritur 4.8 për qind
INSTAT: Punësimi në 2015 është rritur 4.8 për qind

INSTAT: Punësimi në 2015 është rritur 4.8 për qind

Në kulmin e debateve lidhur me punësimin në Shqipëri, Instituti i Statistikave publikoi të premten Anketën e Forcave të Punës për vitin 2015. Sipas saj krahasuar me vitin 2014 punësimi në Shqipëri është rritur me 4,8 për qind. “Gjatë vitit 2015 numri i të punësuarve në Shqipëri është 1 milion e 87 mijë persona. Krahasuar me vitin pararendës punësimi u rrit me 4,8 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 64,2 përqind”, vlerësohet në Anketën e INSTAT-it. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18,3 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Një ditë më parë duke folur me rastin e çeljes së Panairit të Punësimit 2016, kryeministri Rama akuzoi qeveritë paraardhëse se kishin sponsorizuar dembelizmi masiv tek shqiptarët. Por kreu i opozitës Basha përmes reagimit në facebook, shprehej se papunësia në Shqipëri lidhet vetëm me rrënimin ekonomik, me taksat e larta, me krimin që sundon e mban larg investitoret, me korrupsionin pas çdo porte qeveritare, e për të gjitha këto përgjegjës është Edi Rama. “Sot vetëm një kantier është në punë. Vjedhja, zhvatja, plaçkitja” shkruan zoti Basha.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama me rastin e ardhjes në pushtet afro dy vjet e gjysëm më parë, deklaroi se kishte programuar të punësonte 300 mijë persona, një shifër që opozita e djathtë e ka quajtur mjaftë të egzaxhiruar dhe të pamundur për tu realizuar. Kur ka mbetur pak më shumë se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme qeveria thotë se ka punësuar 175 mijë persona, por opozita nga ana e saj këmbëngul se shifrat nuk janë të vërteta.