KRYEFAQJA » LAJME » Internacionalja e të Rinjve Socialiste është mbledhur në Tiranë

Internacionalja e të Rinjve Socialiste është mbledhur në Tiranë

Në Tiranë ka nisur të premten Kongresi i Internacionales së të Rinjve Eurosocialistë. Në të marrin pjesë mbi 81 organizata nga 55 vende të ndryshme të botës dhe mbi 230 delegatë. Në punimet e këtij kongresi marrin pjesë edhe Presidenti i IUSY, z. Felipe Jeldres, Sekretarja e Përgjithshme e IUSY, znj. Evin Incir, Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Evropiane, z. Giacciomo Filibeck, si edhe mjaft personalitete të tjera të së majtës evropiane dhe asaj botërore. Janë të pranishëm edhe kreu i PS Rama dhe ai i LSI Meta.

Gjatë punimeve të Kongresit do të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet drejtuese të Internacionales së të Rinjve Eurosocialistë, do të vendosen objektivat politike të përbashkëta, që organizatat do të kenë në dy vitet në vazhdim si dhe do të miratohen disa rezoluta.

Ky Kongres organizohet nën kujdesin e Lëvizjes Rinore për Integrim në bashkëpunim me Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar. Internacionalja e të Rinjve Socialiste është organizata ombrellë ku janë të anëtarësuara 134 forume rinore politike nga mbarë bota (80 shtete). Organizata ka si synim rritjen e bashkëpunimit të forumeve politike anëtare dhe ndërveprimit politik të të rinjve të majtë për kauzat e rinisë në mbarë botën dhe promovimin e vlerave social-demokrate në botë.